Hoti reagon ashpër pas plagosjes së policit nga hajnat në Veternik të Prishtinës

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar për ngjarjen e sotme në Veternik të Prishtinës ku një polic u plagos me armë zjarri.

Me anë të një reagimi të lëshuar nga qeveria, thuhet se Hoti dënon sulmin me armë zjarri ndaj zyrtarit policor gjatë kryerjes së detyrës, shkruan lajmi.net.

Me këtë rast, Hoti atij i ka uruar shërim të shpejtë dhe i ka shprehur përkrahje për punën.

Reagimi i plotë i zyrës së Kryeministrit:

Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, dënon sulmin me armë zjarri ndaj zyrtarit policor gjatë kryerjes së detyrës, parandalimit të kryerjes së vjedhjes, në njërën prej qendrave tregtare në kryeqytet.

Kryeministri Hoti, zyrtarit policor i dëshiron shërim sa më të shpejtë, ndërkohë që thekson se integritetit fizik i policit është i pacenueshëm, ndërsa sulmet ndaj zyrtarëve policor janë të pa pranueshme.

Kryeministri Hoti shpreh mbështetje të parezervë dhe mirënjohje për punën e Policisë së Kosovës, Institucionit më të besuar në vend për zbatimin e rendit dhe ligjit.