Ushtruesja e detyrës së Presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani zhvilloi sot një takim me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha në përfundim të të cilit mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat.
Basha dhe Osmani përsëritën edhe njëherë rëndësinë për miratimin e rezolutës nga Kuvendi i Shqipërisë për të dënuar gjenocidin serb, gjë për të cilën kryedemokrati u zotua se do të realizohet pa vonesë, pas zgjedhjeve të 25 prillit.
“Kuvendi i ri i Shqipërisë do të votojë pa vonuar rezolutën që dënon gjenocidin serb. Nuk mund të lejojmë që historia të shkruhet nga agresorët. Do të vazhdojmë të mbështesim dialogun, ku pa diskutim përfundimi duhet të jetë njohja e ndërsjellë që i jep fund një kapitulli të dhimbshëm”, tha Basha.
Ndërsa, Vjosa Osmani shtoi për këtë çështje se Kosova dhe Shqipëria duhet të unifikojnë zërat për këto krime që kanë ndodhur në Kosovë dhe të mos lejojnë që historia të ndryshohet nga agresorët.
“Kërkesa që Shqipëria të dënojë gjenocidin serb është legjitime, nuk duhet të hasë në vonesa apo pikëpyetje. Falënderoj presidentin dhe kreun e PD-së për mbështetjen për këtë rezolutë, sepse është e nevojshme që këto krime t’i dënojmë me një zë të qartë. Qëllimi i Serbisë ka qenë që ta shfarosë një popull të tërë. Por, ne jemi aty, edhe falë sakrificës së popullit për liri. Serbia po përpiqet të falsifikojë historinë. Pa pasur drejtësi, asnjë nga shtetet tona nuk do mund të ecë përpara”, shtoi Osmani.
Më tej, Lulzim Basha premtoi se sapo të marrë drejtimin e qeverisë do të ndryshojë qasjen e Tiranës në mbështetje të institucioneve të Kosovës, duke shtuar se vendimi i parë do të jetën heqja e traut në Rrugën e Kombit.
“I domosdoshëm, një qëndrim i unifikuar mes Prishtinës dhe Tiranës në arenën ndërkombëtare për çdo gjë që lidhet me Kosovën. Pas 25 prillit, do të ketë një kthesë rrënjësore të qasjes së Tiranës në mbështetje totale të institucioneve të Kosovës dhe në vendosjen e marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë në rrafsh të parë, duke zhbërë rënien e nivelit të bashkëpunimit gjë që është e papranueshme. Në themel të ekzistencës sonë, ka qenë çështja kombëtare. Krenar që personalisht, por edhe si pjesë e PD-së, kemi bërë gjithçka për pavarësinë e Kosovës.
I brengosur, që në një kohë të vështirë për Kosovën, nuk ka mbështetjen e duhur nga Shqipëria. Kjo do të ndryshojë. Duhet të eliminojmë barrierat zyrtare dhe jozyrtare, që pengojnë integrimin ekonomik. Përsëris zotimin për heqjen e traut në Rrugën e Kombit. Ky është minimumi, duke parë potencialin e madh që dyja vendet kanë. Kemi një obligim ndaj të rinjve, e ardhmja ka fytyrën e tyre. Do bëjmë gjithçka për të forcuar ekonomitë tona, që po lëngojnë prej kohësh dhe për të rikthyer shpresën e rinisë”, përfundoi Basha.