Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitare të Kosovës, Valbon Krasniqi, janë duke raportuar në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.
Gjatë raportimit kryetarja e Komisionit, Albena Reshitaj, ka kërkuar informacione edhe për çështjen e vaksinës anti-Covid.
Zemaj ka thënë se më 7 dhjetor ka nënshkruar aplikimin për vaksinë, kurse ka shtuar se COVAX ka pranuar aplikimin.
Ministri Zemaj po ashtu ka deklaruar se Kosova është listuar në mesin e 92 vendeve ku 20 për qind të vaksinës do ta ketë falas.
“Koha e vaksinës do të jetë e qasshme varësisht se sa shpejt do të arrihet sigurimi. Synimi është imunizimi i atyre që kanë më së shumti nevojë”, ka thënë ai.
Ndërsa duke folur për çështjen e oksigjenit, Zemaj ka thënë se kanë pasur problem me furnizim me oksigjen, porse sipas tij, tashmë është tejkaluar.