Cakaj falënderon Izraelin për njohje diplomatike të Kosovës

Ministri i Punëve të Jashtme në Shqipëri, Gent Cakaj, gjatë ditës së sotme ka biseduar me krerët e Komitetit Amerikano-Hebraik.

Me këtë rast, ai shprehu shprehëm mirënjohjen për njohjen e Republikës së Kosovës nga ana e Izraelit.

“Ky është një zhvillim i jashtëzakonshëm historik që hap një horizont krejtësisht të ri me shumë mundësi bashkëpunimi mes dy vendeve. Mirënjohës pafund Komitetit Amerikano-Hebraik për punën e pakursyer për ngritjen e imazhit të Shqipërisë e shqiptarëve kudo në botë”, tha ai.

Ndryshe, njohja diplomatike e Izraelit ndaj Kosovës erdhi falë marrëveshjes për normalizim ekonomik ndaj Kosovës dhe Serbisë, e arritur në Uashington më 4 shtator.

Njoftimi i plotë:

Një bisedë absolutisht e shkëlqyer me krerët e Komitetit Amerikano-Hebraik.

Në krye të herës, vlen të theksohet se shprehëm mirënjohjen e pamatë për njohjen e Republikës së Kosovës nga ana e Izraelit.

Ky është një zhvillim i jashtëzakonshëm historik që hap një horizont krejtësisht të ri me shumë mundësi bashkëpunimi mes dy vendeve. Mirënjohës pafund Komitetit Amerikano-Hebraik për punën e pakursyer për ngritjen e imazhit të Shqipërisë e shqiptarëve kudo në botë.

Po ashtu, vlerësuam bashkërisht punën që ka bërë Shqipëria në luftën kundër anti-semitizmit, veçanërisht si Kryesi e Radhës e OSBE-së dhe me organizimin e Forumit Ballkanik kundër anti-semitizmit. Populli shqiptar shkëlqen si shembull i vyer në historinë e Evropës, si i vetmi popull që me mbrojtjen, mikpritjen e kujdesin e tij, ka mundësuar që në Shqipëri të ketë më shumë hebrej pas Luftës së Dytë Botërore, sesa para saj.

Diskutuam po ashtu mbi rëndësinë e disa projekteve në fushën e sigurisë, arsimit, ekonomisë dhe kulturës mes Shqipërisë dhe Izraelit. Marrëdhënia jonë historike duhet të shndërrohet në projekte konkrete të bashkëpunimit ekonomik, politik dhe institucional. Shqipëria është plotësisht e përkushtuar për të thelluar marrëdhënien me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraelin.