Këshilli organizativ i fshatrave Krushë e Madhe dhe Krushë e Vogël kanë thirrur protestë për nesër, pas vendimit të djeshëm të Gjykatës së Apelit për uljen e dënimit për 11 vite ndaj të dënuarit për krime të luftës në Kosovë, Darko Tasiqi.
Sipas një njoftimi në rrjetin social “Facebook“, protesta fillon prej orës 11:00 para Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë.
“Të dashur/a familjarë/e nga Krusha e Madhe e Krusha e Vogël, familjarë nga fshatrat tjera për rreth dhe nga gjithë Kosova. Ju ftoj nesër që të dalim nesër në ora 11:00,në protestë të qetë bashkë me familjarë nga Krusha e Vogël para Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë. Kjo, për arsye të uljes përgjysëm të dënimit ndaj kriminelit serb Darko Tasic njëri nga kriminelët e luftës përgjegjës për vrasjen, djegien dhe hudhjen në lumin Drini i bardhë të familjarëve tanë të cilët ishin mbledhur nëpër fshat dhe me kamion ishin dërguar tek lumi Dri në Krushë të Vogël. Nisja bëhet në ora 09:00 tek rrethi me autobus dhe me makina private. Ju lus gjithë juve që mund të vini, të veproni konform rekomandimeve të IKSHPK-së”, thuhet në thirrjen e këshillit organizativ Krushë e Madhe & Krushë e Vogël.
Të hënën, Gjykata e Apelit, Darko Tasiqit nga 22 vite burgim për krime të luftës në Krushë të Vogël ia ka ulur dënimin në 11 vite.
Me vendimin e Apelit ai do t’i mbajë 11 vite burgim pasi u gjet fajtorë për krime të luftës kundër popullatës civile në Kosovë.
Ai akuzohet edhe se mori automjetet dhe makinerinë bujqësore dhe sende të tjera me vlerë që i përkisnin Kasum Hajdarit dhe fshatarëve të tjerë përreth.
Për këtë pikë të aktakuzës Gjykata e shpalli fajtor Tasiqin dhe e dënoi me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 7 vitesh.