Hoti pret në takim gratë deputete, zotohet për mbështetje

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka pritur sot në takimin përfaqësueset e Grupit të Grave Deputete të Kosovës, Vlora Limani- Hajnuni, Teuta Haxhiu dhe Besa Ismaili, me të cilat ka biseduar për respektimin e të drejtave të grave në shoqërinë tonë.

Kjo u bë e ditur me anë të një komunikate për media nga zyra e kryeministrit, shkruan lajmi.net.

“Kryeministri Hoti ka nënvizuar rëndësinë për mbështetjen ekonomike të grave në biznes, duke theksuar se fuqizimi ekonomik dhe pavarësia financiare e grave është njëra ndër format konkrete të mbështetjes afatgjate për krijimin e mundësive të barabarta dhe realizimin e barazisë së plotë gjinore”, thuhet në komunikatë.

Përfaqësueset  e Grupit të Grave Deputete të Kosovës para Kryeministrit Hoti kanë ngritur shqetësimet që kanë të bëjnë me respektimin e të drejtave të grave, parandalimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, si dhe plotësimin e legjislacionit në mbështetje të realizimit të barazisë gjinore.

Kryeministri Hoti, është zotuar se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë angazhimin konkret në përditësimin, plotësimin dhe miratimin e legjislacionit të nevojshëm për të parandaluar dhe evituar dhunën në familje dhe dhunën ndaj grave, si dhe për të fuqizuar shërbimet sociale, rehabilitimin dhe risocializimin e të gjitha viktimave të dhunës.