Rusia në gjendje të rëndë, shënon rekord të viktimave dhe rasteve ditore me Covid-19

Gjatë 24 orëve të kaluara, në Rusi janë regjistruar 24.822 raste të reja të koronavirusit, që është shifra më e madhe prej fillimit të pandemisë.

Vetëm në kryeqytetin rus, Moskë, gjatë kësaj periudhe u regjistruan 7.168 raste, shifër që po rritet vazhdimisht ditëve të fundit.

Pas rasteve të reja, numri i përgjithshëm i personave të infektuar me SARS-CoV-2 në Rusi shkoi në mbi 2 milionë e 64 mijë, shkruan The Guardian.

Rusia është shteti i pestë në botë me më së shumti të infektuar, pas Shteteve të Bashkuara, Indisë, Brazilit dhe Francës.

Përpos infektimeve, në 24 orët e kaluara u regjistruan edhe 467 persona të vdekur nga koronavirusi, që gjithashtu është shifër rekorde. Kështu, numri i përgjithshëm i viktimave të pandemisë në Rusi shkoi në 35.778.

Ndryshe, Rusia ka deklaruar se ka zbuluar dy vaksina kundër sëmundjes COVID-19, por vendet perëndimore kanë dyshime për efikasitetin e tyre shkaku i mungesës së transparencës gjatë testimit.