Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj, ka zhvilluar një bisedë virtuale me Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorin Tomáš Szunyog dhe ambasadorët e BE-së në Kosovë.
Zëvendëskryeministrit i Kosovës, Driton Selmanaj, gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një bisedë virtuale me Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Ambasadorin Tomáš Szunyog dhe ambasadorët e BE-së në Kosovë, rreth riorganizimit të strukturave të ish-Ministrisë së Integrimit Evropian (MIE) në kuadër të Zyrës së Kryeministrit (ZKM).
Selmanaj, njoftoi ambasadorët për nënshkrimin e Rregullores Nr. 01/2020 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Zyrën e Kryeministrit (ZKM) nga kryeministri Avdullah Hoti, si dhe përpilimin e Organogramit të ri të Zyrës së Kryeministrit.
Selmanaj, potencoi se strukturat organizative të ish-Ministrisë së Integrimit Evropian (MIE) do të ruajnë strukturën e tyre të plotë dhe funksionet të cilat i kanë ushtruar deri tani me qëllim të ruajtjes së njohurive dhe përvojës që është zhvilluar ndër vite.
Gjatë kësaj bisede, zëvendëskryeministri Selmanaj theksoi faktin që zbatimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asociim (MSA) dhe Agjenda e Reformave Evropiane (ARE2) janë tejet të rëndësishme për të siguruar rrugën e Kosovës drejtë integrimit evropian.
Selmanaj, po ashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Organizatat e Shoqërisë Civile (OSHC) si parakusht i nevojshëm për zbatimin dhe monitorimin efektiv të reformave dhe Planit të Veprimit për ARE 2.
Selmanaj, në fund të takimit shprehu pakënaqësitë e tij në lidhje me procesin e stërzgjatur të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Selmanaj theksoi se një rezultat pozitiv lidhur me liberalizimin e vizave do të hapte mundësitë për një qasje të ripërtrirë në zbatimin e të gjitha reformave të domosdoshme për Republikën e Kosovës.