Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri ka reaguar lidhur me djegien që iu bë banerit ‘Liria ka Emër’, i vendosur në hyrje të Graçanicës.
Tahiri tha se djegia e këtij materiali simbolik, është shenjë se në Kosovë edhe sot e kësaj dite Serbia investon në provokim e nxitje të kauzave të saj mbi kurrizin e lirisë sonë.
“Djegia e materialit simbolik, apelues e manifestiv të një prej kauzave më të ndritura politike të qytetërimit në përgjithësi dhe kombit tonë në veçanti, siç është liria, për më tepër në një ambient publik e të destinuar për publikim, është shenjë se në Kosovë edhe sot e kësaj dite Serbia investon në provokim e nxitje të kauzave të saj mbi kurrizin e lirisë sonë.Përkundër se në shoqërinë tonë multietnike, secili komunitet kultivon hapur e pa pengesë simbolet e veta të veçanta, djegia e banerit simbolik të lirisë si vlerë e përbashkët e të gjithëve, është fyerje dhe tendencë për ta përbuzur një të vërtetë që s’mund të përbuzet”, shkroi Tahiri.
Tutje deputeti i PDK-së tha se liria kurrë s’ka mund të digjet e ndalohet si fakt e si proces, nga tytat e topave të Serbisë në të kaluarën.
“Liria kurrë s’ka mund të digjet e ndalohet si fakt e si proces, nga tytat e topave të Serbisë në të kaluarën. Ajo nuk mund të digjet e ndalohet si simbolikë as sot nga përpjekjet tinëzare të Beogradit.Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve të saj dhe për këtë kemi punuar vazhdimisht. Por liria jonë, emrin e ka të vulosur në kauzën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër regjimit shtypës e gjenocidial të Millosheviqit. Një cenim i lirisë si simbolikë, është cenim i vlerave tona kushtetuese e multietnike si realitet.Liria ka emër. UҪK🇽🇰🇦🇱”, shtoi ai.