Reshitaj: Pandemia të shërbejë për unitet politik

Në debatin parlamentar në lidhje me gjendjen e pandemisë dhe menaxhimin e saj ana qeveria, deputetja nga AAK Albena Reshitaj ka thënë se situata epidemiologjike e ditëve të fundit në vend, por edhe më gjerë, për fat të keq ka dhënë sinjale për shqetësimin e përkeqësimin e saj.

Për këtë, kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Reshitaj tha se partitë politike duhet të lënë anash inatet politike, por të bashkohen në mbrojtje të jetës së qytetarëve përballë pandemisë COVID-19.

“Përshkallëzimi edhe më tej me numrin në rritje të të infektuarve shtuar këtu edhe ngjarjet e fundit me ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare si dhe kërcënimet luftë-nxitëse të politikës serbe duhet të na shërbejnë që sot nga ky debat parlamentar të dalim me rekomandime të çarta për të mbështetur institucionet e vendit për tejkalimin e kësaj situate që është duke rënduar secilin qytetarë. Të ndodhur në këtë situatë, ne sot duhet lënë anash politikën dhe duhet të flasim e veprojmë me një gjuhë dhe të bashkuar në mbrojtje të jetës së qytetarëve tanë. Në mbrojtje të identitetit dhe dinjitetit”, deklaroi Reshitaj.

Deputetja Reshitaj po ashtu ka kritikuar kolegët e saj nga opozita për mos votimin e Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike.

“Sot mund të kërkojmë përgjegjësi dhe llogari nga institucionet përgjegjëse edhe nga ministri Zemaj, por konsideroj se para se ta bëjmë këtë, duhet ta qartësojmë një fakt. Tani e sa kohë e kemi në pritje Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike, të cilin nuk po arrijmë ta miratojmë në mungesë të deputetëve në sallë. E si mund të flasim për masa mbrojtëse kur ne vet nuk po krijojmë mundësi e lehtësi ligjore për qytetarët, por dhe bizneset që të përballojnë më lehtë këtë gjendje”, theksoi ajo.

Ajo po ashtu tha se miratimi i këtij projektligji do të krijojnë mundësi shtesë për mbajtjen gjallë të bizneseve e rrjedhimisht sigurimin e të ardhurave për shumë punëtorë e familje të tyre.

Derisa debati për pandeminë është duke vazhduar në Kuvend, në 24 orët e fundit 16 qytetar kanë humbur betejën me COVID-19 dhe 690 raste janë pozitivë.