Llogaritë e punëtorëve të Telekomit të Kosovës të cilët ishin të bllokuara, tashmë janë zhbllouar.
Kjo gjë u bë e ditur nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Blerim Kuçi.
Ai tha se tashmë është arritur marrëveshja për zhbllokimin e llogarive të Telekomit dhe është arritur të nënshkruhet marrëveshja me operatorin ekonomik ‘Dardafone.net’.
Kuçi tha se me këtë marrëveshje, borxhi i konfirmuar nga organet e drejtësisë do t’i paguhet operatorit privat në një periudhë disa-vjeçare dhe s’do të ketë bllokim të llogarive nga përmbaruesit privatë, transmeton lajmi.net.
Ndryshe gjatë ditës së sotme punëtorët e Telekomit kanë protestuar para objektit të Qeverisë së Kosovës dhe pas përfundimit të protestës njoftuan për fillimin e grevës.
Postimi i plotë:
Arrihet marrëveshja për zhbllokim të llogarive të Telekomit
Sot kemi arritur me sukses të zhbllokojmë llogaritë bankare të Telekomit të Kosovës dhe është nënshkruar një marrëveshje me operatorin ekonomik “Dardafone.net”.
Me këtë marrëveshje, borxhi i konfirmuar nga organet e drejtësisë do t’i paguhet operatorit privat në një periudhë disa-vjeçare, dhe nuk do të ketë më bllokim të llogarive nga përmbaruesit privatë.
Kjo marrëveshje për zhbllokim të llogarive do të përcillet edhe nga një Marrëveshje Mirëkuptimi për Subvencionim të Kushtëzuar për Investime në operacionet vitale mes Qeverisë së Kosovës dhe Telekomit.
Kjo marrëveshje që tashmë e kam nënshkruar unë dhe Bordi i Telekomit, do të bëjë zgjidhje të përhershme të kësaj ndërmarrje dhe jo një zgjidhje vetëm për disa muaj.
Me këtë marrëveshje mirëkuptimi, Telekomi ka marrë obligime për të investuar në teknologjinë e tyre, duke filluar nga implementimi i plotë i kodit shtetëror +383.
Gjithashtu, në zotimet e Bordit të Telekomit, kjo ndërmarrje do të punojë për të shkurtuar shpenzimet.
Duhet bërë e ditur që Telekomi i Kosovës do të kthen këto mjete të subvencionimit në llogarinë e Qeverisë së Kosovës.