Jashari: Ekonomia është duke rënë tmerrësisht keq

Mosvotimi i Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike në Kuvendin e Kosovës po bëhet për inate personale sipas kryetarit të Skenderajt, Bekim Jashari.

Në intervistën e tij në emisionin “Përballje”, Jashari ka thënë se gjithçka po bëhet me inat dhe se ekonomia në komunën ku ai është kryetar është duke rënë tmerrësisht shumë, ndërsa megjithëse po bëjnë të pamundurën për të ndihmuar bizneset, ata kanë nevojë për intervenimin e nivelit qendror.

“Kjo është ajo që thashë për inate personale. Nëse e di mirë, saktë që ti e ke bo një ligj të mirë, ide briliante dhe i mirë për vendin, unë nuk ta votoj për inati se ti po bëhesh i madh e unë po mbetem i vogël. Këto që i kemi si ves. Për momentin në Skenderaj është situata e menaxhueshme, por ekonomia është duke rënë tmerrësisht keq. Ne jemi për çdo ditë aty, unë aty jetoj, jam aty nuk kam ku me shku”, tha Jashari.

Ai theksoi se sa i përket masave të reja anti-COVID, ka qenë kundër mbylljes totale.

“Problemi është që ne e kemi diskutuar edhe me kryeministrin dhe ministrin e Shëndetësisë, e kam shpreh shqetësimin tim që jam kundër mbylljes totale. Edhe ashtu jemi lënë shumë poshtë ekonomikisht, jemi kanë keq, edhe me pandeminë hala ma keq, nuk e di. Si nivel lokal jemi duke u munduar maksimumin, por tash sa mundemi me bo na në nivel lokal kur nuk kemi mbështetje nga niveli qendror, ku këta për inate personale nuk e votojnë Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike”, u shpreh Jashari. /Telegrafi/