Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ka deklaruar se dialogu me Serbinë nuk ka alternativë duke lënë të nënkuptohet se bisedimet do të vazhdojnë dhe duhet të përmbyllen sa më shpejt dhe me sukses. Në anën tjetër, partneri i koalicionit qeverisës, AAK ka kërkuar që dialogu të ndërpritet për shkak të arrestimeve të fundit nga Gjykata Speciale. E analistët politikë thonë se Kosova nuk duhet të deklarohet si bllokuese e dialogut.
Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ka kërkuar që të vazhdohet dialogu me Serbinë. Hoti tha se është i përkushtuar për zgjidhje të çështjeve bilaterale me Serbinë.
“Unë, pres që procesi i dialogut në Bruksel të përfundojë me sukses, së shpejti. Ne jemi të përkushtuar që t’i zgjidhim të gjitha çështjet bilaterale me Serbinë si pjesë e procesit të Brukselit”, ka thënë Hoti.
Por deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj, edhe pse është pjesë e koalicionit qeverisës, tha për Radio Kosovën se pas zhvillimeve të fundit, dialogu duhet të ndërpritet.
“Ka 101 arsye që kjo të ndodhë. Nuk është kjo vetëm në aspektin moral, për shkak se presidenti i shtetit dhe njerëzit kryesorë të luftës po përballet me Gjykatën Speciale. Një ndërprerje e dialogut do të ishte një veprim edhe i matur edhe i mirë”, tha ai për RTK.
Ndërsa ushtrues i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se partia e tij nuk do të përzihet për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, vetëm se theksoi se kjo çështje duhet të mbyllet me njohje reciproke.
E profesori dhe analisti i çështjeve politike , Milazim Krasniqi, ndërkaq konsideron se qeveria i ka “këmbët e drunjta” dhe nuk mund të mbijetojë me numrat që i ka. Pastaj si problem po e sheh zgjedhjen e presidentit si dhe procesin e gjykimit të Hagës ndaj liderëve të Kosovës. Prioritet sipas Krasniqit së pari është konsolidimi i brendshëm i institucioneve të Republikës së Kosovës.
“Kosova nuk është në situatë që ta vazhdojë dialogun. Ndoshta zgjidhja më e mirë është që Kosova mos të deklarohet që është kundër dialogut por të deklarojë që duhet të shtyhet deri në një far kohe deri sa të ndodhë konsolidimi i brendshëm i institucioneve të Kosovës, tha ai
Violeta Haxholli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha se Kosova duhet të mendojë mirë para se të kërkojë ndërprerjen e dialogut me Serbinë.
“Lidhur me kërkesat që kanë ardhur nga disa krerë politikë për mundësinë e ndërprerjes së dialogut për shkak të zhvillimeve nga dhomat e specializuara, Kosova besoj se duhet ta mendojë mirë këtë hap, pasi që nuk duhet të shihet si palë që e bllokon dialogun”, tha ajo.
Haxholli , megjithatë tha se para takimeve të radhës spektri politik duhet të provojë që të harmonizojë qëndrimet e tij lidhur me dialogun. Sipas Haxhollit, kjo duhet të shkojë përtej kalkulimeve partiake.