Demokracia Studentore: Studentët nuk kanë para për semestra, Qeveria blen vetura luksoze

Organizata “Demokracia Studentore”, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, e cila sipas tyre në këtë kohë pandemie nuk i ka mbështetur studentët.

Në një reagim të tyre ata kanë kritikuar Qeverinë për blerjen e veturave në vlerë prej 130 mijë euro për një veturë, duke thënë se studentët nga ana tjetër nuk po munden t’i paguajnë as semestrat.

Reagimi i plotë i tyre:

Si organizatë studentore jemi të shqetësuar për gjendjen aktuale të studentëve të Kosovës në rrethanat e pandemisë. Në këtë kohë të rëndë të pandemisë studentët nuk kanë para për semestra, e në anën tjetër qeveria në vend se të mendoi një opsion për t’i nxjerrë nga kriza blenë vetura BMW me vlerë 130 mijë euro për copë!

Organizata Demokracia Studentore e quan skandaloze blerjen e veturave luksoze nga kjo Qeveri në këtë kohë shumë të rëndë ekonomike të shkaktuar nga pandemia e virusit Covid-19.

Ne si organizatë jemi shumë të shqetësuar për luksin e tepërt të Qeverisë së Republikës së Kosovës në këtë kohë shumë të rëndë ekonomike ku studentët nuk kanë para të paguajnë një semestër e qeveria blenë vetura luksoze të markës BMW. Studentët ende nuk janë liruar nga pagesat e semestrave dhe pagesat të tjera që lidhen me shërbimin ndaj studentëve, andaj ne kërkojmë nga Kryeministri i Republikës së Kosovës që ta ndaj një fond për t’i mbështetur studentët në këtë kohë të pandemisë që të lirohen nga të gjitha pagesat, pasi studenti është kategoria më e prekur në këtë situatë të pandemisë. Studentët në Kosovë nuk kanë asnjë lloj të ardhure financiare dhe i vetmi burim financimi është nga prindërit e tyre.

Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të ketë konsideratë ndaj studentëve për gjendjen e tyre të rëndë ekonomike në këtë kohë shumë të rëndë të pandemisë dhe të merr një vendim që t’i lirojë nga të gjitha pagesat.