Ish-udhëheqësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi është paraqitur sot në seancën e parë gjyqësore në kuadër të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Pas leximit të aktakuzës, Thaçi ka deklaruar se ka dëgjuar aktakuzën dhe se i hedh poshtë të gjitha.
Nicolas Guillou, gjyqtari i procedurës paraprake ka pyetur Hashim Thaçin nëse deklarohet i fajshëm apo i pafajshëm pas leximit të aktakuzës, ku Thaçi deklaroi se është plotësisht i pafajshëm.
“I nderuari gjykatës, akuza është krejt e paqëndrueshme dhe deklarohem i pafajshëm plotësisht, për të gjitha pikat e akuzës si të paqëndrueshme”, ka thënë Thaçi, transmeton lajmi.net.
Kjo është paraqitja e parë, që prej konfirmimit të aktakuzës ndaj tij, e bërë publike javën e parë të nëntorit 2020.
Thaçi, që ishte një prej figurave kryesore të UÇK-së, udhëtoi për në Hagë më 5 nëntor 2020, kur edhe u publikua aktakuza ndaj tij, për krime të pretenduara të luftës.
Një ditë pasi udhëtoi për në Hagë, hetuesit e Speciales në bashkëpunim me zyrtarë të EULEX-it bastisën shtëpinë e tij në Prishtinë.
Thaçi, deri një javë më parë mbante postin e presidentit të Kosovës nga i cili dha dorëheqje pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij.
Thaçi paraqitet për herë të parë para Dhomave të Specializuara për t’u ballafaquar me akuzat e prokurorisë për krime të pretenduara të luftës.