Thellohet rënia e të hyrave buxhetore, bie qarkullimi i bizneseve me mbi 1 miliard euro

Mbi 232 milionë euro llogariten të jenë më pak të hyrat buxhetore për këtë vit, si pasojë e pandemisë se shkaktuar nga koronavirusi. Këto janë parashikimet e Qeverisë së Kosovës, përderisa ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se kjo normë do rritet edhe më shumë, nëse vazhdon situata me koronavirus.

Rënia e të hyrave buxhetore është shkaktuar nga mungesa e mbledhjes së të hyrave tatimore dhe doganore.

Qarkullimi i bizneseve në vend ka rënë me rreth 1 miliard euro vetëm brenda tre-katër muajve në pandemi. Vetëm në Doganën e Kosovës dhe në Administratën Tatimore të Kosovës të hyrat deri më tash kanë shënuar rënie rreth 150 milionë euro.

Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovës, Arian Zeka ka thënë se të hyrat buxhetore kanë shënuar rënie, njëkohësisht ka rënë edhe qarkullimi financiar i bizneseve prej 40 përqind.

Drejtori Zeka thotë për KosovaPress se efektet e pandemisë ishin negative për arkën e shtetit, e po ashtu edhe për ndërmarrjet dhe kompanitë.

“Nëse i referohemi pandemisë pas shpërthimit të saj, në mars, prill dhe maj kur u morën masat më strikte kufizuese në aktivitetin ekonomik të ndërmarrjeve në Kosovës, në bazë të të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës gjatë kësaj periudhe kohore ndikimi në qarkullim ishte në normën prej 40 përqind. Megjithatë, mund të themi se ndikimi i saj mund të jetë më i madh nëse institucionet e vendit aplikojnë sërish masa të tilla strikte që do të kufizonin aktivitetin ekonomik”, thotë Zeka.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci ka thënë për KosovaPress se të hyrat për këtë vit kanë rënë mbi 110 milionë euro ose 12 përqind krahasuar me vitin e kaluar.

“Me fillimin e pandemisë, me mbylljen e sektorëve të ekonomisë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në të gjithë botën, ne kemi vërejtur që kemi pasur stagnim të të hyrave ose ngadalësim të të hyrave dhe nuk kemi pasur të hyra në nivelet të cilat ne kemi pritur. Nëse flasim me shifra statistikore në vitin 2019 kemi pasur 980 milionë, tani për momentin 862 milionë euro, që nënkupton rreth 12 përqind ose 110 milionë më pak. Mund të themi që në javët e fundit kemi një përmirësim të dukshëm të të hyrave edhe pse rënia ka qenë shumë më e madhe në periudhën e kulminacionit të pandemisë ose krizës ekonomike”, thekson Stavileci.

Ndërsa, Valentina Bytyqi-Sefa, zëdhënëse në Administratën Tatimore të Kosovës, ka thënë për KosovaPress se për periudhën janar-tetor 2020, ATK ka inkasuar 390.4 milionw euro tatime ose rreth 42 milionë euro më pas se vitin e kaluar.

“Administrata Tatimore e Kosovës për periudhën janar-tetor 2020 ka inkasuar 390.4 milionë euro tatime, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kemi rënie për 9.7% apo 41.9 milionë euro më pak. Ndërsa, kontributet pensionale 150 milionë euro, që në total i bile se kemi inkasuar tatime dhe kontribute ne vlerë 540.4 milionë euro. Rënia e qarkullimit sipas analizave që kemi bërë për periudhën janar-shtator 2020, arrin vlerën afro 1 miliard euro”, thotë Bytyqi-Sefa në një përgjigje elektronike.

Në Doganën e Kosovës, zëdhënësi i saj Stavileci ka folur edhe për rënien e importit të mallrave nga Serbia, sipas të cilit ky shtet duket se ka humbur tregun në Kosovës.

“Nga Serbia nuk kemi vërejtur që kemi ndonjë rritje ekstreme të importit për shkak se Serbia ka humbur tregun. Ne kemi pritë që kemi një rritje më të madhe të importit të produkteve. Importi nga Serbia nuk është më shumë se 100 milionë nëse krahasohet periudha kur importet nga ky shtet brenda një viti kanë kaluar 400 milionëshin. Tani kemi mbi 100 milionë importe nga Serbia”, thotë ai.

Në anën tjetër Qeveria e Kosovës ka miratuar të premten e kaluar projektbuxhetin 2.4 miliardë euro për vitin 2021 e që pritet të shqyrtohet në lexim të parë në Kuvend. Ndërsa Projektligji për rimëkëmbjen ekonomike ende ka mbetur pa u shqyrtuar në lexim të dytë, e që është paraparë të ndodhë më 11 nëntor pas shtyrjes së seancës së jashtëzakonshme të premten për mungesë të kuorumit.