Ndërmarrja më e madhe publike në vend, Korporata Energjetike e Kosovës, sot ka nënshkruar kontratë tri vjeçare me Telekomin e Kosovës edhe për shkak të ofertave më joshëse në treg.
Afër 4 mijë punëtorë të KEK-ut, tri vitet e ardhshme do të kenë në telefonat e tyre shërbimet më të reja të Vala-s dhe do të përfitojnë nga rrjeti i shpejtë i internetit 4G, që kësaj korporate do t’ua lehtësojë në masë të madhe sistemin e operimeve teknologjike.
Kryeshefi Ekzekutiv i KEK-ut, Luigj Imeri, ka thënë se nënshkrimi i kontratës mes këtyre dy ndërmarrjeve paraqet një bashkëpunim dhe mirëbesim të vazhdueshëm mes dy ndërmarrjeve publike të Kosovës.
“Është e rëndësishme të thuhet se, jemi shumë të kënaqur që KEK-u po vazhdon me shërbimet e VALA-s dhe kjo marrëveshje e sotme është një tjetër dimension i thellimit të bashkëpunimit mes dy kompanive, në vazhdën e bashkëpunimeve që kemi pasur edhe në të kaluarën. KEK-u është korporata më e madhe në vend me numrin më të madh të punëtorëve, andaj me afër 4000 punëtorë do të jemi pjesë e shfrytëzimit të shërbimeve të Vala-s për shkak të ofertës së saj më të favorshme”, theksoi Luigj Imeri, u.d. i Kryeshefit Ekzekutiv të KEK-ut.