Padrejtësisht PDK-ja është vënë në shënjestër të sulmeve për privatizime

Nënkryetari i Komisionit Parlamentar për Hetim të Privatizimit, njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK-së), Gazmend Bytyçi, ka bërë me dije se pas inervistimit të dëshmitarëve të këtij procesi, do të vazhdojnë hetimet se kush janë përfituesit e privatizimit në vendin tonë.

Bytyçi në këtë intervistë për “Epokën e re” ka thënë se padrejtësisht PDK-ja është vënë në shënjestër të sulmeve në lidhje me privatizimet. “PDK-ja është vënë në shënjestër të sulmeve të ndryshme, duke na akuzuar se jemi keqpërdoruesit më të mëdhenj në procesin e privatizimit e, në fakt, ne pretendojmë dhe besojmë se është krejtësisht e kundërta”, ka thënë Bytyçi.

Në këtë kontekst, Bytyçi ka thënë se eksponentët e Vetëvendosjes dhe LDK-së janë të lidhur me procesin e privatizimeve. “Në opinion po qarkullojnë disa lista dhe disa emra dhe nga ajo çfarë kam parë, janë lista të sakta dhe janë shumë eksponentë të partive të tjera, të Lidhjes Demokratike të Vetëvendosjes etj., që janë privatizues, por ne nuk do ta akuzojmë askënd se janë apo jo keqpërdorues të këtij procesi. Që janë privatizues, kjo është e vërtetë”, ka deklaruar Bytyçi.