Vazhdon përplasja për shuarjen e Task-Forcës, Selimi-Hotit: Çkapja për kapje apo çkapja për sundim të ligjit?

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka thumbuar shefin e tij në Qeveri, Avdullah Hotin, pas vendimit për shuarjen e Departamentit Anti-Korrupsion në Policin e Kosovës.

Për këtë vendim të Qeverisë Hoti pati reagime të shumta, madje edhe nga ndërkombëtarët.

Pa reaguar për këtë nuk la edhe kreu i AAK-së Ramush Haradinaj, partia  e të cilit është pjesë e koalicionit qeverisës. Haradinaj pati një përplasjen në distancë me kryeministrin Hoti për këtë vendim.

Sot, në këtë përplasje u përfshi edhe ministri i Drejtësisë nga radhët e AAK-së Selim Selimi.

Ai përmes një postimi në Twitter shkroi “Çkapja për kapje apo çkapja për sundim të ligjit”?

“Çkapja për kapje apo çkapja për sundim të ligjit? Deri në pafundësi për të dytën”!, ka shkruar Selimi.

Ndërkohë, të shtunën Haradinaj përmes një postim në Facebook, ka thënë se shkarkimi i kësaj force shkakton pasiguri juridike, pasi e njëjta ka hetuar dhe po hetonte raste të profilit të lartë.

“Puna e tyre ka treguar që askush nuk është i paprekshëm nga drejtësia. Normalisht ka pasur shumë gjëra të përmirësohen dhe kjo Task-Forcë të fuqizohet, qoftë nga rishikimi funksional ose nga rekomandimet e partnerëve strategjik si SHBA-ja dhe BE-ja”, ka shkruar Haradinaj.

Por, këtij reagimi nuk e la pa iu përgjigj kryeministri Hoti. I cili po ashtu përmes Facebook-ut shkroi se qeveria është e vendosur për të forcuar rendin ligjor dhe se “siguria juridike garantohet vetëm duke respektuar Kushtetutën, ligjet dhe institucionet shtetërore”.

“Politika nuk duhet të përzihet në drejtësi. Këtë e kemi bërë me vendimet që kemi marr në këta muaj të qeverisjes. Drejtësia duhet ta bëjë punën sipas ligjit, e jo sipas vendimeve të Qeverisë. Kthimi i ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vend duhet të jetë angazhim i të gjithëve”, shkroi Hoti mbrëmë në Facebook.