Hapja e një zyre ruse në Serbi është pritur me shqetësim të madh nga Bashkimi Evropian.
Peter Stano, zëdhënës i diplomacisë dhe shefit të sigurisë së Bashkimit Evropian, thotë se BE ka përcjellë me shqetësim të madh raportimet rreth hapjes së zyrës ruse nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë në Beograd.
Qëllimi i hapjes së kësaj zyre thuhet se është forcimi i lidhjeve ushtarake të Rusisë me Serbinë.
Reagimi i Stanos ishte i qartë rreth këtij veprimi të Serbisë.
“Serbia e ka identifikuar integrimin në BE-së si përparësi strategjike dhe pritet që të përafrojë në mënyrë progresive politikat e saj në përputhje me politikat dhe pozicionet e miratuara nga Bashkimi Evropian”, tha Stano.
Ai shtoi se bashkëpunimi ushtarak midis vendeve evropiane, duhet të jetë në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare.
Dje nëpër mediat e Serbisë u raportua se Ministria Ruse e Mbrojtjes ka dhënë një njoftim për hapjen e zyrës së saj në Beograd, transmeton E.O.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë konfirmoi procedurën ligjore që kishte nisur në lidhje me hapjen e zyrës ‘pas një marrëveshje midis qeverive të Serbisë dhe Rusisë’.
Qëllimi i pranisë së zyrës së Ministrisë Ruse të Mbrojtjes në Serbi thuhet se është të ofrojë mbështetje dhe të përshpejtojë procesin e bashkëpunimit ushtarak-teknik në përputhje me marrëveshjen e dy vendeve.