Mustafa nervozohet për interpelancat ndaj Hotit, i quan “mësymje” kundër kryeministrit

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka folur për tri interpelancat që do të zhvillohen sot ndaj kryeministrit Hoti në Kuvendin e Kosovës.

Mustafa me anë të një postimi në Facebook, këto interpelanca i ka quajtur “mësymje” ndaj Hotit, shkruan lajmi.net.

Ai ka thënë se dy nga këto interpelanca janë kundër bashkëpunimit me SHBA-në teksa një sipas tij ndërlidhet me një aktgjykim të Kushtetueses për respektimin e një ligji të miratuar nga 2/3 e deputetëve,  në këtë rast Asociacionin.

“Ata që e vlerësojnë miqësinë dhe partneritetin me SHBA-të, sot janë me Kryeministrin. Ata që ndajnë bindjen se Kosova duhet tu përmbahet marrëveshjeve ndërkombëtare dhe Ligjit, si dhe partneritetit me BE-në, sot mbështesin sjelljen parimore dhe të përgjegjshme të Kryeministrit dhe Qeverisë Hoti!”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë i Mustafës në Facebook:

Të nderuar miq,
Sot, tri interpelanca njëpasnjë në Kuvendin e Kosovës. Tri mësymje kundër Kryeministrit Hoti.
Dy, kundër marrëveshjes dhe bashkëpunimit me SHBA-të dhe një, pse është shprehur se duhet të zbatohet Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për respektimin e Ligjit të miratuar me 2/3 e deputetëve, i cili ka krijuar detyrime ndërkombëtare të Kosovës.
Ata që e vlerësojnë miqësinë dhe partneritetin me SHBA-të, sot janë me Kryeministrin. Ata që ndajnë bindjen se Kosova duhet tu përmbahet marrëveshjeve ndërkombëtare dhe Ligjit, si dhe partneritetit me BE-në, sot mbështesin sjelljen parimore dhe të përgjegjshme të Kryeministrit dhe Qeverisë Hoti!.