Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Shaqir Totaj, ka thënë se aktualisht si subjekt politik nuk e kanë ndërruar qasjen në raport me mundësinë e futjes në Qeveri.
Ai ka thënë se PDK-ja nuk ka marrë ende një vendim për këtë, duke aluduar se momentalisht janë për të qëndruar në opozitë.
Por, Totaj nuk e përjashton krejtësisht mundësinë që PDK-ja të përfshihet në koalicionin qeverisës.
“Qëndrimi ynë është parimor dhe PDK-ja nuk merr vendime ad-hoc. Qasja jonë është e njëjtë siç ka qenë… Mundësinë nuk e përjashtoj as unë, por se s’ka vendim për të hyrë në Qeveri”, tha Totaj në T7.
Marrëveshja për zgjedhjen e presidentit të ri, sipas Totajt duhet të presupozojë përfundimin e plotë të mandatit të Qeverisë.
“Nëse do të arrihet një marrëveshje, e presupozon përfundimin e mandatit deri në vitin 2023. Marrëveshja për presidentin do të duhej të ishte marrëveshje gjithëpërfshirëse për përfundimin e mandatit”, tha ai.
Për ambicien e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinajt për t’u bërë president, Totaj tha se kjo është më shumë çështje që varet nga dy partitë e mëdha të vendit.