Bekim Jashari deklaron se Kushtetuta e Kosovës nuk duhet të ndryshojë.
Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari ka deklaruar se në asnjë mënyrë dhe për asnjë çmim nuk duhet dhe nuk mund të ndryshohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në emër të arritjes së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.
Jashari deklaroi se shteti ynë ka bërë vazhdimisht kompromise të dhimbshme në emër të arritjes së marrëveshjeve me Serbinë, duke përfshirë këtu diskriminimin pozitiv të pakicës serbe në Kosovë dhe votimin e dyfishtë për çështje substancionale, si pjesë e kushtetutës.
“Ajo që duhet të ndryshojë kushtetutën është Serbia, e cila përveç kësaj duhet dhënë përgjegjësi për të pagjeturit, viktimat e luftës, gjenocidin mbi popullatën e pafajshme dhe dëmet materiale të shkaktuara në luftën e fundit në Kosovë.Kushtetuta e shtetit tonë duhet të ndryshohet vetëm për të hequr votimin e dyfishtë, si derivat i pakos së Ahtisarit dhe i cili pengon të ardhmen dhe zhvillimin e shtetit tonë”, shkroi Jashari.
Sipas tij, udhëheqësit e shtetit duhet t’ia bëjnë me dije faktorit ndërkombëtar që shteti ynë nuk ka për të bërë më kompromise dhe se jemi shteti më i avancuar në Ballkan, sa i përket respektimit të të drejtave të pakicave, transmeton Lajmi.net
Tutje i pari i Skenderajt tha se është koha e fundit që spektri politik të jenë të bashkuar dhe të unifikuar të mbrojnë shtetin nga çdo tendencë që mund të vijë për ta future atë në negociata e kompromise të dhimbshme.
“Çdo veprim i sotëm i udhëheqësve tanë duhet të jetë konform Kushtetutës dhe duke mos prekur në asnjë mënyrë shtetësinë, sovranitetin dhe territorialitetin e shtetit tonë”, shtoi ai.