Ka vdekur edhe familjari i katërt që ishte i përfshirë në aksidentin në Landin e Baden Württemberg në Gjermani.
Këtë e bëri të ditur Meliza Haradinaj-Stublla, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës me anë të një postimi në rrjetin social Facebook.
Ajo ka thënë se MPJD dhe misionet e saj diplomatike e konsullore janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e shteteve pritëse dhe në shërbim të qytetarëve tanë kudo.
“Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani kanë njoftuar që sot ka ndërruar jetë edhe shqiptari i katërt në aksidentin e rëndë në Landin e Baden Württemberg. Në këto çaste të vështira për të gjithë ne ku për vetëm një javë u shuan tragjikisht 6 jetëra të bashkëatdhetarëve tanë, shprehim pikëllimin e thellë për të gjitha tragjeditë e tmerrshme që rënduan fatin e diasporës sonë sidomos javën e fundit, duke u shprehur ngushëllimet e sinqerta në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës. Duke qenë të vetëdijshëm që jeta në mërgim nuk është e lehtë, dua të shprehë mirënjohjen time të thellë për të gjithë bashkëkombësit tanë në diasporë që nuk e harruan asnjëherë gjakun, atdheun, dhe kombin, dhe kështu mbesin pjesë e pandashme e jona, pavarësisht se ku ndodhen fizikisht”, ka thënë Haradinaj-Stublla.
Të premten rreth orës 09:00 të mëngjesit tre persona të familjes Krasniqi të moshës 12, 18 dhe 35 vjeç ndërruan jetë si pasojë e një aksidenti të rëndë i cili ndodhi në autostradën federale 31, midis lokaliteteve Uhldingen-Mühlhofen dhe Meersburg, në Gjermani.