Shtimi i rasteve me COVID-19, nga nesër kontrolle të rrepta nga policia dhe inspektorati në Kosovë

Shtimi i rasteve me COVID-19 në ditët e fundit ka nxitur edhe veprimin e institucioneve shëndetësore.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, me anë të një postimi në Facebook ka kërkuar nga Policia e Kosovës dhe inspektoratet që të veprojnë urgjentisht në parandalimin e keqësimit të situatës, shkruan lajmi.net.

Ai ka bërë të ditur se do të ketë kontrolle dhe inspektime të shtuara, ku do të vendosen edhe gjoba.

Në këtë kuadër, do të shtohen edhe 75 inspektorë sanitarë, si dhe policisë do t’i kërkohet që të kthehet orari 12 orësh i punës.

Postimi i plotë i Zemajt në Facebook:

Masat anti covid duhet të respektohen nga çdo kush dhe në çdo kohë

Kërkoj që Policia e Kosovës dhe të gjitha inspektoratet pa dallim, bashkë me komunat dhe shtabet emergjente të veprojnë urgjentisht në parandalimin e përkeqësimit të situatës.

Inspektimet do të vazhdojnë me ritëm të shtuar, gjobat të shqiptohen sipas Ligjit për luftimin e pandemisë Covid-19 dhe nuk do të lejohet asnjë lloj shkarje prej ligjit, i cili duhet të zbatohet me përpikëri.

Nga nesër do të jenë në teren edhe 75 inspektorë sanitar, ndërsa nga Policia e Kosovës do të kërkojmë kthim të orarit të punës nga 12 orë në ditë .

Tash, kur gastronomia mund të punojë edhe brenda hapësirave të lokaleve të veta, distanca në mes të tavolinave, higjiena dhe mbajtja e maskave si nga personeli po ashtu edhe nga mysafirët janë të domosdoshme.

Aty ku ka neglizhencë, aty ku vazhdohet me dasma dhe tubime të tjera familjare, aty do të ketë mbyllje, pa paralajmërim, në të kundërtën masat e reja do të jenë të domosdoshme.

Tashmë kur lakorja e infeksionit po rritet në Evropë dhe Botë, dhe kur masat e mbylljes dhe karantina po kthehen në ato vende me risk të lartë të infeksionit, ne si Kosovë nuk guxojmë t’i lemë rastit asgjë.

Kjo është një sfidë e madhe që na takon të gjithëve dhe të gjithë së bashku do të ia dalim!.