Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, është përplasur me shefin e Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashin rreth ndryshimit të Ligjit për Automjete.
Murati ka thënë se po ndjen keqardhje për deputetin Gashi i cili sipas tij, ka marrë detyrën për t’i përfaqësuar interesat e Devollit.
“U thanë disa gjëra të pavërteta po mundohet me u manipulu. Projektligji nuk është i mangët është shumë i thjesht dhe shumë elegant. E heq homologimin, jo monopolet, po e heq homologimin. Pra e heq obligimin për homologim për të gjitha veturat që vijnë prej Bashkimit Evropian, të vjetra, të përdoruara, të reja. Çdo tentim për manipulim, e thashë edhe në fillim, ndjej keqardhje që deputeti Gashi paska marrë sot detyrën për me i përfaqësua interesat e Devollit, por nuk është e vërtetë që ky projektligj nuk e rregullon atë”, ka thënë Murati.
Pas kësaj deklarate, shefi i deputetëve të LDK-së e ka quajtur djalë të keq Muratin, duke i thënë se po mashtron haptas.
“Me thanë të drejtën kam pas respekt për Hekuranin, kam mendua që është djalë i mirë, po ky qenka shumë djalë i keq, e para. E dyta, po mashtron haptas. Ky është ligj bash për Devollët. Do të thotë, ato mjete rrugore që vijnë duke vozitur që janë të regjistruara, nuk kanë me e bë certifikatën e konformitetit. Krejt të tjerët çka vijnë të ngarkuara në kamionë, që janë pjesa më e madhe e automjeteve, duhet me shkua prapë të Devolli, je tu ja dhënë monopolin Devollit, kjo është çka je duke bë ti”. ka thënë Gashi.