Dy dekada pas përfundimit të luftës së fundit, për krime lufte në Kosovë, nga gjyqësori vendor, duke i përfshirë edhe misionet ndërkombëtare, janë akuzuar 116 persona dhe janë dënuar 40 prej tyre, thotë Fondi për të Drejtën Humanitare në Prishtinë.
Rreth 40 janë liruar, derisa 28 persona janë arratisur pas ngritjes së aktakuzës, prej tyre 24 serbë.
Ata u dënuan nga gjykatat vendore, përfshirë misionet ndërkombëtare UNMIK dhe EULEX.
Mirëpo, që nga data 13 maj 2015, u krijua Departamenti për krimet e luftës në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Kur kanë kaluar më shumë se pesë vjet, janë ngritur shtatë aktakuza nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës pas fillimit të pranimit të kompetencave ekzekutive nga misioni i EULEX-it, dy prej të akuzuarve janë liruar e të tjerët janë ende në proces.
Radio Evropa e Lirë ka tentuar të marrë një përgjigje nga Prokuroria Speciale, por nga ky institucion i drejtësisë nuk janë deklaruar lidhur me këtë çështje.
Analisti ligjor në Fondin për të Drejtën Humanitare në Prishtinë, Amer Alija, thotë për Radion Evropa e Lirë se institucionet e Kosovës duhet të bëjnë më shumë për dënimin e atyre që kryen krime.
“Institucionet në Kosovë duhet të hulumtojnë dhe të përgatisin sa më shumë raste dhe të tentojnë që përmes INTERPOL-it t’i arrestojnë edhe individët që nuk jetojnë në Kosovë dhe që janë të pakapshëm për organet e drejtësisë së Kosovës”, thotë Alija.
Alija thotë që ky proces të jetë më i lehtë, duhet që të ketë një bashkëpunim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Po ashtu përmes bashkësisë ndërkombëtare duhet insistuar që të krijohet një bashkëpunim juridik i shëndoshë në mes Kosovës dhe Serbisë, në shkëmbimin e informatave që do të ndihmonin në arrestimin dhe gjykimin e sa më shumë kryesve të krimeve të luftës në Kosovë”, thekson ai.
Pse ka dështuar drejtësia kosovare?
Që nga mbarimi i luftës, më 1999, krimet e luftës janë hetuar nga gjyqtarë dhe prokurorë të huaj, kurse nga viti 2015, këtë rol e kanë marrë institucionet e Kosovës.
Avokati Taulant Hodaj thotë se janë disa arsye pse gjyqësori në Kosovë nuk ka qenë efektiv sa i përket dënimit të atyre që kryen krime gjatë luftës.
“Gjykatat vendore, problem kryesor – po ashtu edhe prokuroritë – kanë që t’i dënojnë apo t’i ndjekin kryerësit e veprave penale që janë në fushëveprimin e krimeve të luftës. Është mungesa ose mospasja të drejtë e gjykimeve në mungesë deri tani, megjithëse kohët e fundit është ndryshuar ligji ku për krimet e luftës mund të vazhdojë gjykimi edhe në mungesë”, thotë Hodaj.
Po ashtu, problem tjetër sipas avokatit Hodaj është edhe mungesa e ekspertizës, pasi nuk ka hetues dhe prokurorë që kanë përvojë të hetimeve të krimeve të luftës.
Këto dhe çështje të tjera, sipas avokatit Hodaj, kanë bërë që të ketë nevojë për një gjykatë si Gjykata Speciale, që të merret me krimet e pretenduara të luftës në Kosovë.
“Gjyqësori ka pasur mungesë të vullnetit që të ballafaqohet me kryerësit shqiptarë potencialë që mund të kenë kryer krime të luftës. Po ashtu, edhe ndikimi në dëshmitarë dhe mosmbrojtja e dëshmitarëve ka qenë një prej arsyeve pse është marr vendimi që të themelohet Gjykata Speciale”, thotë Hodaj.
As Serbia s’ka bërë më mirë në dënimin e atyre që kryen krime lufte në Kosovë
Nga 40 personat e dënuar në Kosovë për krime lufte, 34 janë shqiptarë, pesë serbë dhe një rom, thonë në Fondin për të Drejtën Humanitare në Prishtinë.
Në Serbi është bërë shumë më pak sa i përket dënimit të atyre që kryen krime në luftën e viteve 1998-1999.
Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, në Serbi janë gjykuar vetëm 17 persona, prej tyre, dy janë shqiptarë.
Për krime lufte në Kosovë, janë mbajtur edhe dy procese gjyqësore në Mal të Zi dhe është dënuar një malazez.
Në Hagë janë dënuar gjashtë serbë për krime lufte në Kosovë, të cilët kanë pasur pozitat e eprorëve ushtarakë dhe politikë. Po ashtu janë dënuar edhe dy ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që kanë pasur pozita më të ulëta.
Ndërkohë, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë është duke i hetuar krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.
Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.
Më 24 shtator, Dhomat e Specializuara në Hagë bën publike aktakuzën për krime lufte ndaj ish-eprorit të UÇK-së në zonën e Llapit, Salih Mustafa.
Mustafa, i cili u arrestua dhe u dërgua në paraburgim në Hagë, akuzohet nga Gjykata Speciale (v.j. Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar) për “ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt”.
Në aktakuzën ndaj Mustafës thuhet se “afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”.
Në aktakuzë përmendet po ashtu se prej periudhës 19 prill të vitit 1999 e deri në fund të atij muaji, në atë vendndodhje është vrarë një i ndaluar.
Ndryshe, gjatë luftës në Kosovë humbën jetën rreth 13,500 persona, ndërsa 1,600 ende konsiderohen të pagjetur.