Në Republikën e Kosovës janë të regjistruar mbi 6 mijë investitorë të huaj me një shumë të kapitalit që kap vlerën e miliarda eurove.
Në tregun e Kosovë ka investitorë dhe biznesmenë të huaj. Madje numri i tyre duket të jetë goxha i lartë.
Bazuar në të dhënat zyrtare të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dërguar për lajmi.net, në tregun e Republikës së Kosovë operojnë 6 mijë e 146 kompani të huaj, prej tyre me së shumti nga Turqia.
Kështu, shuma totale e kapitalit fillestar të të gjithë investitorëve të huaj në Kosovë në të gjitha fushat ku ata kanë investuar, është 1 miliardë e 684 milionë e 693 mijë e 577 euro.
Ndërkohë, Turqia vazhdon të mbetet një ndër partnerët më të mëdhenj tregtar dhe një nga tre shtetet me praninë më të madhe të investimeve direkte në Kosovë, ku gjithsejtë 734 kompani operojnë në tregun tonë.
Përveç Turqisë një nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të Kosovës janë edhe Gjermania dhe Zvicra.
340 kompani gjermane ushtrojnë veprimtari në tregun e Kosovës, ndërsa nga Zvicra janë 186 kompani, këto të dhenë janë bërë të ditura nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për lajmi.net.
Ndërsa vetëm nga shteti i Turqisë, deri më 31 mars 2020, totali i investimeve kumulative direkte nga Ankaraja në Prishtinë është 430.8 milionë euro.
Nga 6 mijë e 146 kompani të huaja që operojnë në tregun e Kosovës 954 prej tyre merren me Industri Përpunuese të Prodhimtarisë, 74 me furnizim me Rrymë, Gazë, Avull dhe Klimatizim.
Më poshtë gjeni tabelën e plotë të veprimtarisë së kompanive të huaja që operojnë në tregun e Kosovës.
C – Industria Përpunuese, Prodhimtaria | 954 |
D – Furnizimi me Rrymë, Gaz, Avull dhe Klimatizim | 74 |
E – Ujësjellësi, Kanalizimi, Menaxhimi i Mbeturinave dhe Aktivitetet e Riparimit | 87 |
F – Ndërtimtaria | 567 |
G – Tregtia me Shumice dhe Pakicë, Riparimi i Mjeteve Motorike dhe Motoçikletave | 1,771 |
H – Transporti dhe Magazinimi | 177 |
I – Hoteleria dhe Akomodimi | 444 |
J – Informimi dhe Komunikimi | 373 |
K – Aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit | 86 |
L – Aktivitetet e Patundshmërisë | 288 |
M – Aktivitetet Profesionale Shkencore dhe Teknike | 479 |
N – Aktivitetet Shërbyese dhe të Përkrahjes | 254 |
O – Administrimi Publik dhe i Mbrojtjes, Sigurimi i Detyruar Social | 15 |
P – Arsimi | 69 |
Q – Aktivitetet e Shëndetit Njerëzor dhe të Punës Sociale | 108 |
R – Artet, Argëtimi dhe Rekreacioni | 165 |
S – Aktivitetet Tjera Shërbyese | 223 |
U – Aktivitetet e Organizatave dhe Organeve të Huaja | 2 |
(blank) | 10 |
Ndryshe, në përputhje me nenet e Ligjit për investime të huaja, kompanitë e huaja janë të lejuara të angazhohen në çfarëdo aktivitet biznesor, që janë të hapura për bizneset vendore, dhe nuk ekziston ndonjë kufizim sa i përket kapitalit që mund të kenë këto kompani. Investitorët e jashtëm mund të themelojnë degë të veta në të njëjtën formë si bizneset vendore.