Me 64 vota deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë arritur që pas tentimit të shtatë ta miratojnë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.
Për këtë Mustafa ka reaguar duke thënë se miratimi i projektligjit është një hap i rëndësishëm për të fituar betejën me pasojat ekonomike e sociale nga pandemia COVID-19.
“Miratimi në lexim të parë i Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike është një hap i rëndësishëm për të fituar betejën me pasojat ekonomike dhe sociale nga pandemia Covid-19”, ka shkruar Mustafa.
Mustafa ka uruar deputetët që e votuan në parim Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, ku ka inkurajuar një bashkëpunim racional të të gjitha grupeve parlamentare dhe të gjithë deputetëve por edhe Qeverisë në plotësimin dhe begatimin e këtij projektligji.
“Uroj deputetët që e votuan. Lufta për të mposhtur pasojat nga pandemia është detyrim i të gjithëve, pozitës dhe opozitë, nga fakti se nuk kemi dy pandemi, njërën për pozitën e tjetrën për opozitën por një Covid-19 që po i prekë qytetarët pa dallim. Inkurajoj një bashkëpunim racional të të të gjitha grupeve parlamentare dhe të të gjithë deputetëve dhe Qeverisë në plotësimin dhe begatimin e këtij projektligji në mënyrë që ai të jetë sa më gjithëpërfshirës deri në aprovimin e tij si Ligj në leximin e dytë”, ka shkruar Mustafa.