Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, me të mbërritur në Prishtinë deklaroi se Athina zyrtare po shikon përpara për të vendosur marrëdhënie me Kosovën. Kryediplomati grek theksoi se vendi i tij është i interesuar për paqe dhe stabilitet në rajon.
Mëngjesin e sotëm ai është pritur në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, nga ministrja e Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla. Ai para mediave tha se vizita e tij në Kosovë është tregues për bashkëpunim rajonal mes fqinjësh.
Dendias: Jemi të interesuar për Ballkanin Perëndimor
“Ne jemi fqinj dhe jemi shumë të interesuar për Ballkanin Perëndimor dhe gjithashtu për paqen dhe stabilitetin në rajon”, ka thënë ai.
I pyetur nëse ka shpresë që Greqia të njohë së shpejti Kosovën, ministri i jashtëm grek deklaroi se kjo nuk është çështje shprese.
Dendias: Njohja nuk është çështje shprese
“Epo, nuk është çështje shprese, por një çështje e vendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve”, deklaroi ai.
Ministri i jashtëm grek është pritur në takim edhe nga kryeministri Avdullah Hoti, dhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani.