Ka filluar puna e grupit punues për plotësim-ndryshimin e Projektligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, duke përshëndetur nisjen e punës, tha se është i bindur që me ligjin e ri do të adresohen mundësitë e krijimit të një skeme apo fondi të veçantë për kompensimin e viktimave të krimit me kompensim të menjëhershëm për disa kategori të caktuara, njofton KK.
Për këtë kompensim të menjëhershëm bëhet fjalë posaçërisht për viktimat e ndjeshme duke përfshirë dhe viktimat e dhunës në familje pa pasur nevojë të ketë aktgjykim të formës së prerë.
“Kjo risi do t’u mundësojë viktimave që të realizojnë të drejtën e tyre në kompensim pa pasur nevojë të presim deri në përfundim të procesit gjyqësor. Me ligjin e ri do të rishikohet shuma e kompensimit për disa kategori të caktuara të dëmeve të pësuara”, tha Selimi.
“Po ashtu mundësia e rishikimit të kategorive të veprave penale që kanë të drejtë në kompensim, duke përcaktuar mundësinë që në parim, të gjitha viktimat e veprave penale të dhunshme do të kenë të drejtë në kompensim, pa pasur nevojë që të dëshmojnë se janë viktima të krimit të veprave penale me prioritet siç është e rregulluar me ligjin paraprak”.
I pari i Drejtësisë tha se afatet duhet rishikuar, në mënyrë që viktimat e veprave penale të dhunshme të mos humbasin afatin për dorëzimin e kërkesës për kompensim.
Me anë të këtij projektligji do të duhej paraparë edhe zgjatja e afatit për dorëzimin e kërkesës e për kompensim.