Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në një konferencë për media me ambasadorin e Bashkimit Evropian Tomáš Szunyog, ka thënë për aksionin në Karaçevë se aksione të tilla të Policisë së Kosovës nuk janë parë në dhjetë fitet e fundit nga asnjë prej qeverive me radhë.
Këtë deklaratë Hoti e tha derisa ishte duke folur për krimin dhe korrupsionin në Raportin e BE’së për Kosovën.
“Krimi dhe korrupsioni mbetet problem në vete. Por, brenda vetëm katër muajve qeverisje është larguar nga qeverisja. Në javët e fundit, keni pa veprime të fuqishme të policisë që s’i kemi parë në dhjetë vitet e fundit. Rezultate të tilla nuk kemi parë që disa qeveri me radhë”, ka thënë Hoti.
Tutje, Hoti edhe njëherë potencoi se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet e liberalizmit të vizave.
“Raporti tregon se është bërë progres. Arritja më e madhe e Kosovës në këtë proces është marrëveshja e stabilizim asociimit. Raporti me të drejtë nxjerr në pah se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizmin e vizave”, është shprehur Hoti.
Gjithashtu, ai tha se Kosova po largohet nga lista e vendeve me rrezikshmëri të lartë. E kjo për shkak të menaxhimit të mirë në pandemi.
“Vlerësoj se Kosova e ka menaxhuar mirë pandeminë, rezultatet e saj po i shohim. Kosova po largohet nga lista e vendeve me rrezikshmëri të lartë. Është bërë progres dhe reforma në administratë publike”, shtoi Hoti.