2 milionë euro shtesë përkrahje për popullin e Kosovës, ka ndarë sot qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.
Këtë e ka bërë të ditur Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott përmes një reagimi në të cilin thotë se këto mjete do të shërbejnë si mbështetje shtesë që Kosova t’i kthehet normalitetit që nga përballja me COVID-19.
”Sot, me kënaqësi ju njoftoj se qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka vendosur që t’i ndajë 2 milionë euro përkrahje shtesë për të ndihmuar popullin e Kosovës që të kthehet në normalitet.
Ky projekt do të implementohet nga Ekipi i Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe do të fokusohet në sektorin e shëndetësisë dhe të arsimit. Përkrahja nga Mbretëria e Bashkuar do të ndihmojë në përmirësimin e ofrimit të kujdesit shëndetësor si dhe pjesëmarrje të sigurt dhe përfshirëse në shkollim.
Përmes këtij projekti, Mbretëria e Bashkuar synon që të sigurohemi që të gjitha komunitetet kanë qasje të barabartë në shërbimet shëndetësore dhe arsimore, përkundër COVID-it, dhe se askush mos të mbetet mbrapa”, shkruan Abbott.