Veseli uron Gjermaninë: Rënia e murit të Berlinit simbolizon mposhtjen e komunizmit

Ish-kryeparlamentari dhe lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka shkruar rreth ribashkimit të Gjermanisë 30 vite më parë.

Ai thotë se është ndër ngjarjet historike më të mëdha të shekullit të kaluar, me rëndësi të madhe jo vetëm për Gjermaninë por për gjithë Evropën, shkruan lajmi.net.

Sipas Veselit, ajo ditë simbolizon mposhtjen e komunizmit.

Veseli ka shprehur urimet më të mira për shtetin gjerman, duke e falënderuar që ka qëndruar pranë Kosovës në kohë të vështira.

Ky është postimi i Veselit:

Ribashkimi i Gjermanisë 30 vjet më parë, një vit pas rënies së murit të Berlinit, përbën një nga ngjarjet historike më të mëdha të shekullit që kaloi, me rëndësi të jashtëzakonshme jo vetëm për Gjermaninë, por për mbarë Evropën dhe më gjerë.

Ajo ditë nuk simbolizon vetëm ri-integrimin e kombit gjerman por edhe mposhtjen e komunizmit, dhënien fund të “Murit të Hekurt” që ndau Evropën për gjysmë shekulli si dhe ngadhënjimin e lirisë dhe demokracisë përkundrejt tiranisë.

Në këtë jubile, shpreh urimet më të mira për këtë shtet mik, që na është gjendur pranë në kohët më të vështira e vazhdon të na ndihmoj në sfidat tona dhe që për më tepër, është bërë atdhe i dytë për qindra mijëra bashkatdhetarë tanë.