“XHEVAP PËR LIRINË’ – THIRRJE PËR TA RINDËRTUAR DODONËN E SHKATËRRUAR

Shkruan: Avni Ferizi

Poeti, Ilir Hajdari, e sheh personazhin e tij gjithkund në një vijë të kuqe, një shpatë të Demokleut, që gjymton dhe jo një shpatë të Skënderbeut që bashkon. Kjo është arsyeja që, poeti Ilir Hajdari, ia solli emrin përmbledhjes së tij “Xhevap për lirinë” dhe nga këto gjymtime, me siguri se do të vdes edhe vet autori, por kjo do të ndodh pasi të ketë vdekur kombi dhe patriotizmi.

Nuk jam kritik, as botues i ndonjë vepre letrare, por një lexues dhe adhurues i poezisë dhe prozës. Megjithatë, kjo s’ka fare rëndësi në këtë moment. Ajo që ka rëndësi është se, duke lexuar vargjet e përmbledhjes poetike “Xhevap për lirinë” të poetit nga Gjakova, Ilir Hajdari, të shndërruar në Orakull të kombit, i instaluar në Dodonë, na zgjon interesimin për një kumt kombëtar poetik.

Prandaj, nuk kemi se si ta injorojmë këtë thirrje që vjen nga toka dhe nga qielli; në ëndrra dhe përmes maktheve të çdo shqiptari që e do kombin e tij.

Poezia e Ilir Hajdari, që nga fillimi ngërthen optimizmin për një të ardhme dhe rindërtim të Dodonës, Gjakovës së tij të dashur dhe Kosovës së lirë. Liria, e paraqitur dendur veprën poetike “Xhevap për lirinë”, është optimizmi i personazhit në shprehjen e tij si protestë e shkrimtarit, si ndjenjë më sublime e çdo poeti, si solidarizim më i thellë dhe paqedashës në botë me të mjeruarit dhe humanizëm që del nga zemra e një altruisti.

Kjo ndjenë optimizmi vazhdon edhe në vargjet për dashurinë me një shprehje hyjnore, të butë dhe të ndjeshme, pa e përlyer atë me gjuhën e urrejtjes dhe pa asnjë gjemb të pesimizmit apo të mosbesimit.

Poezitë të ndjejnës individuale, si dhembja dhe vdekja, humbja e njerzve me vlerë qe i duam më së shumti janë të përshkruara me lartësinë e përkryer gjuhësore, të cilat përmbajnë ndjenjat më hyjnore të përshkrimit të tyre, ashtu si përshkrimi i viktimave të qytetit Trojes, të përshkruara nga Homeri.

Iliri, si një Homer hyjnor i quan këto raste humbjesh si “Dhembje të Dhembshme”. Çdo shprehje në këtë përmbledhje, e gjejmë hyjnore dhe kuptimpolte, Iliri e kupton edhe vdekjen si një filozofi dhe shndërrim në një botë të padukshme, por jo si një zhdukje përgjithmonë nga lidhja me ne. Por ne, nuk do të ndalemi për të trajtuar vetëm temën e lirisë në këtë përmbledhje, për të zbuluar këtë dramë poetike kombëtare të poetit.

Në leximin e parë dhe në atë të dhjetin të përmbledhjes poetike “Xhevap për lirinë”, të dytin me radhë të poetit Ilir Hajdari, veçse sa e kam forcuar kuptimin. Dhe, sikurse dihet, kuptimi forcohet shkallë-shkallë në nivelin kulturor. Ashtu siç është udhëtimi i teleskopit në gjithësi, ku përmes tyre ne arrijmë të zbulojmë gjëra që nuk i dinim më parë. Pra, ashtu, si në udhëtimin e teleskopit, duhet lexuar e kuptuar poezitë e Ilir Hajdarit.

Ky autor, nuk është i llojit të Nostradamusit, i cili shkruante me kode, sepse rrezikohej nga kisha, por është një adhurues i lirisë, qoftë ajo edhe vdekur. Më mirë edhe një liri e vdekur se një popull i gjallë pa të, është lajtmotivi i gjithë veprës poetike të Ilir Hajdarit. Por ka “lexues” të cilët shumë herë janë në lajthitje në kuptimin e lirisë së vërtetë dhe këtë lajthitje na e qartësojnë vetëm shkrimtarët e vërtetë dhe të brumosur me kuptimin e lirisë.

Vepra e Ilir Hajdarit “Xhevap për lirinë” na e qartëson kuptimin e përvojës sonë jetësore si një porosi: I burgosuri edhe kur del nga burgu i një diktature e quan dalje në liri, megjithëse akoma nën diktaturë. Kjo është lajthitja e shumë njerëzve me nocionin e lirisë. Por, përmes vargjeve të kësaj vepre, poeti na i hap sytë dhe thotë: kujdes!

Edhe pse poeti është i vetëdijshëm se tani jemi nën qeverisjen e shqiptarëve të Kosovës dhe të daljes nga okupimi serb, ai nuk e ka ngatërruar lumturinë e daljes nga okupatori me pushtetin shqiptar dhe lirinë. Për poetin, qeverisja kombëtare dhe liria, janë dy gjëra të ndryshme. Poeti është gjithnjë një ushtar i lirisë edhe pse i lumtur nga krijimi i shtetit të Kosovës, ai do që liria të shijohet nga të gjithë; ai do që mos të ketë mjerim kulturor dhe ekonomik.

Për poetin, kjo është pesimizëm, por një kërkesë reale dhe që mund të realizohet. Një njeri që vendos të bëhet ushtar i lirisë dhe të luftoj duke sakrifikuar jetën, nuk mund ta quajmë pesimist, por optimist. Prandaj, edhe shkrimtari është një ushtar lirie, një optimist se stuhitë dhe stihitë do të ndalen mbi lirinë e popullit të poetit.

Iliri, duke lexuar vargjet e poezisë së tij, na përsërit, gjithashtu:

T’iu sjellësh njerëzve lumturinë totale është e pamundur, por t’i bësh të lumtur ka mundësi, duke ju siguruar bukën e gojës, t’i gjendet një punë, t’i sigurohet mirëqenia sociale; një të sëmurë që nuk mund ta shërojmë, ka mundësi ta bëjmë të lumtur, duke ia siguruar barërat.

Edhe pse i është i smurë, i smuri do të ndjehet i lumtur. Kjo është esenca e poetit për lirinë dhe ndjenjën e popullit. Populli nuk mund të jetoj vetëm nga ndjenja dhe lumturia se e ka të instaluar një Qeveri shqiptare, sepse është jetëshkurtër kjo ndjenjë në krahasim me problemet jetike. Pra kuptimi i lirisë së poetit është shumë më i gjerë dhe më jetik dhe real.

Poeti është personazh i dashuruar në lirinë ngase kombi i tij mjaft është mjeruar nëpër shekuj. Ky personazh dhe autor narrator meriton një respekt të madh, sepse në radhë të parë ai e vë lirinë e popullit dhe pastaj kujdesin për jetën e tij. Të rrallë janë këta lloj personazhësh, prandaj duhet kujdes për ta nga shoqëria dhe rrethi.

Sepse kemi të bëjmë me një poet-personazh që e do kombin pa rezerva shpirtërore, në çdo cep ku quhet tokë shqiptare dhe ku flitet shqip. Pa këtë liri dhe pa këtë unifikim edhe vet autori-personazhi, narratori, sikur ndjehet i gjymtuar apo i amputuar dhe nuk mund të lëviz.

Ai lëviz kur i gjithë kombi mund të lëviz; ai nuk mund ta lëviz dorën po qe se nuk e ndjen atë lëvizje edhe ajrin e Gjakovës, Kosovës, Çamërisë, Sanxhakut, Shkupit, Shqipërisë dhe diasporës në të njetën kohë. Për autori e sheh personazhin e tij gjithkund në një vijë të kuqe, një shpatë të Demokleut që gjymton dhe jo një shpatë të Skënderbeut që bashkon.

Kjo edhe është arsyeja që poeti ia solli emrin përmbledhjes së tij “Xhevap për lirinë”. Nga këto gjymtime, me siguri do të vdes edhe personazhi. Por kjo do të ndodh pasi të vdes kombi dhe patriotizmi.

Ky personazh i dashuruar në lirinë që sakrifikon për kombin e vet, do të vdes, po që se përballet gjatë me këtë gjendje. Andaj thirrjet e tij si të Pirros për ta rindërtuar Dodonën e shkatërruar, është kthim në rrënjët e veta të lashtësisë pellazgo-ilire.

Kjo gjendje shpirtërore na paraqitet qartë në vargje:

Mirupafshim atdhe
Në raftet e shpirtit
S’ka më vend për libra
Ma dogjën tregimin për lirinë

“Mirupafshim atdhe”, – thotë autori. Nuk është kjo lamtumirë, sepse disa e kanë ngatërruar shprehjen “mirupafshim” me “lamtumirë”. Kjo “mirupafshim” pastaj do të shndërrohet dhe do të rikthehet më vonë në poezitë tjera që vijojnë në përmbledhjen “Xhevap për lirinë”, e që poetin Ilir Hajdari e bën një Orakull të kombit të tij, Orakull i Dodonës nga Gjakova, me mesazhe për fatin e Gjakovës, Kosovës dhe mbarë shqiptarisë.

Vetëm si Orakull do të ketë forcë ti tregoj njerëzve porositë e tij dhe peshën e tyre:

Mirupafshim
Po shkoj
Se në vendin tim
S’ka më heronj
Ka vetëm një gur që peshon

Pra nga ky gur duhet rikonstruar Dodona e heronjve dhe poeti me këtë gur do të shndërrohet në Orakull të kombit tij. Personazhi duhet të shkoj të bëhet Orakull ose të gjymtohet dhe të zhduket si komb dhe si personazh nga skena e qytetit të tij. Pra, ai duhet të vazhdoj të jetoj në një tjetër mënyrë që të mund të na jap parashikimet e tij për Kombin.

Nga momenti i përshëndetjes me “Mirupafshim” ai kthehet në Orakull dhe poezitë e tij të mëpasshme na vijnë si paralajmërime dhe parashikime të nxjerrura nga lisi i Dodonës.

Kosova nuk është më

Pra “Kosova nuk është më”, – thotë poeti, nuk është më një atdhe i idealit klasik, apo atdhe tradicional i të parëve tanë. Kosova, është shndërruar në një shtet kapitalist si çdo shtet tjetër i transformuar në monedhë të çdo njeriu, nga zyrtar deri në punëtorin më thjeshtë.

Monedhë është kapitali apo kapitalizmi si çdo shtet i zhvilluar që nga pushtetarët dhe administrata. Megjithatë, poeti i mbetet besnik profesionit të shkrimtarit. Ai nuk është as kapitalist, as komunist, as perandorak. Dhe, duke mos anuar nga paraja, as nga politika për ta parë realitetin drejt, poeti iu thotë gjërave me emrin e vet: kapitalit – kapital, parasë – para, monedhës – monedhë.

Në poezinë “Asnjë pikë”, poeti kthehet në rrënjët e veta Pellazgo – Ilire:

S’më ka mbetur
Pikë Kosove brenda
Asnjë pikë jashtë
S’po e gjej në gjak
As edhe në asht

E kanë amputuar kombin dhe, nga kjo, poeti ndjehet i amputuar, nuk mund të lëviz i lirë në kufijtë me botën, me viza e probleme të tjera të pazgjidhura për Kosovën. Nga ky gjymtim, poeti, i cili po shndërrohet në Orakull, nuk ndjehet mirë si personazh që shëtit rrugëve si i gjymtuar dhe, ndonëse e ka tepër të vështirë, vendos të jap “Xhevap për lirinë”:

Pa exhel po vdes sonte
Mos u mundoni
Të vajtoni
Të këndoni Ku’ran
Traditat e gjamës ndër ne
Moti kanë dhënë shpirt
Njësoj si unë….
Varr mos më ngrini
Mos u bëni se nuk e dini
Varr është krejt atdheu

Pra, ashtu sikurse e gjithë përmbledhja poetike, edhe ky është një mesazh i Orakullit të ardhshëm të Kosovës, shqiptarisë dhe i Gjakovës që po i kthehet Dodonës pa rite, pa gjëma të kohës së re që nuk përkojnë me identitetin.

(Autori ka qenë aktor në Teatrin Popullor të Gjakovës dhe i burgosur politik në vitin 1985. Prej vitesh jeton dhe punon në Francë)