“Sot, derisa po shkojmë për në Shqipëri, si kabineti qeveritar, mu kujtua rrugëtimi i parë për në shtetin shqiptar. Ishte 8 maji 1999, kur u deportuam nga forcat serbe nga Kosova”, kështu e ka kujtuar rrugëtimin e sotëm për në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës dhe të Shqipërisë, ministrja e Financave dhe Transfereve, Hykmete Bajrami.
Bajrami thotë se rrugëtimi i sotëm për në Tiranë për mbledhjen e dy qeverive po realizohet edhe si rezultat i sakrificave të shumë gjeneratave.
“Dy rrëfime për rrugëtimin në Shqipëri. Sot, derisa po shkojmë për në Shqipëri, si kabineti qeveritar, mu kujtua rrugëtimi i parë për në shtetin shqiptar. Ishte 8 maji 1999, kur u deportuam nga forcat serbe nga Kosova. 8 maji ishte ditë e rëndë. Djali i dajës dhe djali i axhës u vranë në luftë derisa vëllai im ishte në front me ushtarët e UÇK-së. Ky rrugëtim në këtë formë po realizohet edhe si rezultat i sakrificave të shumë gjeneratave. Nga Hasan Prishtina deri te Ibrahim Rugova, Adem Jashari e Ahmet Krasniqi. Pra, është realizim i ëndrrës të të gjithë atyre që kanë vdekur, atyre që kanë dhënë pjesët e trupit dhe gjithë atyre që kanë sakrifikuar gjithçka për këtë ditë. Mirënjohëse përjetësisht!”, ka shkruar Bajrami.