Sekretari i OVL-së së UÇK-së, Faton Klinaku, që po e udhëheq organizatën e veteranëve në mungesë të dy krerëve të saj, ka thënë se do t’i publikojë të gjitha materialet që do t’i sjellë “Rrufeja”, i cili sipas tij, herën e fundit kur ishte në zyrat e veteranëve, ka paralajmëruar se do të vijë sërish.
Askush nuk e di me siguri nëse do të ketë apo jo arrestime të tjera të urdhëruara nga Tribunali Special, siç ishin ato të kryetarit të OLV-së së UÇK-së, Hysni Gucatit dhe nënkryetarit të kësaj organizate, Nasim Haradinajt të premten e kaluar. Por, kjo çështje duket se është edhe në dorë të “Rrufesë”, personit të maskuar që tri herë radhazi çoi dosje të Speciales në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Klinaku thotë se as pas arrestimeve të dy krerëve të organizatës nuk e ka ndryshuar qëndrimin e tij: do të publikojë çkado që ju vjen nga “Rrufeja”.
“Qëndrimi im – që e udhëheq organizatën – është i njëjtë: çkado që na bjen, ne do t’i paraqesim qysh i kemi paraqitë deri tash”, ka thënë Klinaku, duke shtuar se po planifikon ta thërras një mbledhje të Këshillit Drejtues të OVL-së për ta diskutuar këtë çështje edhe me anëtarët tjerë të organizatës.
Veprimet e radhës të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Klinaku ka thënë se nuk do të varen aspak nga avokati Tomë Gashi, që ata e kanë angazhuar për t’i mbrojtur juridikisht.
“Momentalisht, qëndrimi i organizatës është i njëjtë. Do të ulemi, do ta thërras edhe Këshillin Drejtues, por organizatën e veteranëve e përfaqësoj unë. Tomë Gashi e përfaqëson vetëm juridikisht, për qëndrime jam unë që më ka mandatu organizata”, ka thënë Klinaku.
Avokati Tomë Gashi ka treguar sot se gjykatësi i Speciales, Nicolas Guillou, me kërkesë të prokurorit Jack Smith, ia ka dërguar atij një e-mail, përmes së cilit thotë se i kanë kërkuar ta informojë Zyrën e Prokurorit të Specializuar nëse merr ndonjë dokument apo informacion konfidencial të Tribunalit Special.
Këtë e-mail, Klinaku e cilëson si veprim joserioz për një gjykatë.
“Është joserioze me i dërgu shkresat ashtu përmes e-mail-it”, ka thënë ai.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati, sot u paraqit në seancën e parë gjyqësore ndaj tij në Dhomat e Specializuara. Me propozim të tij, personi i cili tri herë me radhë solli dosje të Sepciales në OVL, ishte quajtur “Rrufeja”.
Para dy ditësh, Faton Klinaku në T7, ka thënë se nënkryetari OVL-së së UÇK-së, Nasim Haradinaj ka propozuar që CD-të, të cilat “Rrufeja” ka paralajmëruar se do t’i sjellë në vizitën e ardhshme, të quhen “pjata fluturuese”.
Ai ka deklaruar se nuk brengoset nëse Specialja do ta lëshojë urdhër edhe për arrestimin e tij.
“Nëse arrestohem unë, vazhdon punën tjetri”, ka thënë Klinaku, i cili dje ka njoftuar se ka marrë një thirrje nga Specialja për t’u paraqitur në zyrat e EULEX-it, gjë të cilën tha se nuk do ta bëjë vullnetarisht.
Ndërkohë Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj i kanë përfunduar paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara.
Ata kanë pasur vërejtje për mënyrën dhe arsyet e arrestimit të tyre, të cilat ia kanë shprehur edhe gjykatësit Nicolas Guillou.