Sipas të dhënave e sapo publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, bruto produkti vendor ka rënë për 9.28 % në krahasim me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka fajësuar neglizhencën e dy qeverive të fundit, Kurti dhe Hoti për këtë dëm të madh ekonomik që i është bërë vendit, transmeton lajmi.net.
Veseli ka thënë se aktivitetet ekonomike më të dëmtuara janë ndërtimi, tregtia, turizmi dhe gastronomia, për të cilat, sipas tij, më së shumti ka tërhequr vëmendjen PDK-ja.
Megjithatë, Veseli u ka bërë thirrje edhe një herë Qeverisë që, në kushtet kur ekonomia është në prag të kolapsit, për hir të interesit të vendit, të ulen bashkërisht të gjitha partitë së bashku me odat ekonomike, për të bërë një ligj të plotë e të qëndrueshëm që trajton seriozisht nevojat dhe rreziqet me të cilat po përballet ekonomia jonë.
Lexoni reagimin e plotë të Kadri Veseli:
Të dhënat e sapo publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës po flasin për një rënie të ndjeshme prej 9.28% të Bruto Produktit Vendor krahasuara me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar. Fatkeqësisht, po vërtetohet paralajmërimi ynë për një dëm të madh ekonomik nga pandemia nëse nuk merreshin masa konkrete nga qeveria për të tejkaluar pasojat. Aktivitetet ekonomike më të dëmtuara janë ndërtimi, tregtia, turizmi dhe gastronomia për të cilët më së shumti ne kemi vënë alarmin.
Që në fillim të pandemisë Partia Demokratike e Kosovës ishte e para dhe e vetmja që ka ngritur zërin për dëmet ekonomike që do shkaktonte pandemia dhe kemi propozuar një program të detajuar të mbështetjes së ekonomisë përmes një ligji të veçantë që u injorua nga partitë e tjera. Në kemi sugjeruar një fond emergjent prej së paku 320 milion eurosh, pagat për të punësuarit në sektorin privat prej 300 eurosh si dhe subvencione e grante direkte për të mbështetur bizneset e prekura. Nëse propozimet tona do të ishin dëgjuar e zbatuar me kohë, jam i sigurt se do të ishte parandaluar gjendja e rëndë aktuale ekonomike që po përballim sot.
Qeveria aktuale, sikurse ajo paraardhëse, vazhdon të mos marrë masat e nevojshme për të përballur pasojat e pandemisë, duke e lënë kështu ekonominë në rënie të lirë. Aktualisht ajo ka propozuar një ligj të improvizuar e të mangët që nuk ndihmon bizneset dhe nuk ka efektin gjithëpërfshirës që nevojitet nga ekonomia jonë sot. Më së shumti kanë nevojë për ndihmën e shtetit bizneset private të cilat sigurojnë të ardhura për familjet 286 000 të punësuarve dhe janë pikërisht ata që mbushin arkën e shtetit. Në kushtet kur ekonomia është në prag të kolapsit, unë ripëris thirrjen ndaj partive qeverisëse, që për hir të interesit të vendit, të ulemi bashkërisht të gjitha partitë së bashku me odat ekonomike, për të bërë një ligj të plotë e të qëndrueshëm që trajton seriozisht nevojat dhe rreziqet me të cilat po përballet ekonomia jonë.