Amerikanët paralajmërojnë nisjen e përgatitjeve për jetësimin e minishengenit

Oda Amerikane në Kosovë dhe në Serbi kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët në lidhje me marrëveshjen e nënshkruar me 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë nga Prishtina dhe Beogradi.

Odat Amerikane në Kosovë dhe Serbi kanë thënë se kanë mbajtur një takim virtual mes vete për të diskutuar për fuqizimin e bashkëpunimit dhe përpjekjet e përbashkëta për zbatimin e aspekteve ekonomike të kësaj marrëveshjeje, shkruan lajmi.net.

“Në vijim të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbi normalizimin ekonomik, të nënshkruar në Uashington më 4 shtator, udhëheqësit e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Odës Ekonomike Amerikane në Serbi mbajtën një takim virtual për të diskutuar fuqizimin e bashkëpunimit dhe përpjekjet e përbashkëta për të përkrahur zbatimin e aspekteve ekonomike të marrëveshjes së nënshkruar”, thuhet në deklaratë.

Në këtë kontekst, është përmendur edhe mini-Schengeni.

“Të dyja Odat Amerikane do të punojnë së bashku për të konsultuar anëtarësitë për të identifikuar barrierat e pazgjidhura në tregti dhe për të ofruar rekomandimet konkrete për zgjidhjen e tyre, si dhe për të sugjeruar masat për operacionalizimin e rajonit “mini-Schengen”. Po ashtu, të dyja Odat Amerikane janë dakorduar të promovojnë bashkërisht para kompanive amerikane mundësitë e investimeve në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në deklaratë.

Në fund, Odat Amerikane kanë thënë do të punojnë së bashku për organizimin e forumeve investive dhe ngritjen e vetëdijes së komunitetit të biznesit lidhur me mundësitë e financimit nga Korporata Ndërkombëtare Zhvillimore Financiare e Shteteve të Bashkuara (DFC), banka EXIM dhe agjencitë e tjera të SHBA-ve.