Hoxhaj ka thënë se Qeveria Hoti ka filluar lodhët dhe se ashtu është duke vazhduar.
“Ajo çfarë ka thënë Veseli është e saktë, dhe jo vetëm si vlerësim i PDK-së, por si vlerësim i qytetarëve, sepse ne kemi komunikim me qytetarë dhe e dimë se cili është perceptimi i tyre për Qeverinë”.
“Kjo qeveri ka filluar si qeveri e lodhët, vazhdon si e lodhët dhe 100 ditëshi i saj është i lodhët. Ata fillimisht e kanë pasur përgjegjësinë që e kanë nxjerrë vendin prej binarëve me një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje. Takimi në Washington ka qenë i aranzhuar muaj më parë, takimi duhej të ndodhte me 24 qershor dhe kur një qeveri e cila është udhëhequr nga Albin Kurti dhe e ka izoluar vendin dhe një qeveri e cila udhëhiqet nga partneri i Kurtit, e mbanë një gjendje e cila ka qenë, dhe një marrëveshje e cila pothuajse ka qenë e negociuar, nuk mund të pretendojë që është një rezultat i saj”, pohoi ai.
Po ashtu, Hoxha ka kritikuar Qeverinë edhe për menaxhimin e pandemisë COVID-19.
“Kosova gjatë kësaj kohe ka pasur parametrat më alarmante, Kosova që është me ekonominë më të vogël nuk e ka një koncept se si do të ballafaqohet. Fakti që pakoja për Rimëkëmbjen Ekonomike nuk kalon në Kuvend, është parametër matës. Kjo Qeveri nuk ka një skenar B se çka do të ndodhë nëse rritet numri i të infektuarve dhe i viktimave, cili është skenari për fushën e arsimit. Nuk shihet qasje vizionare se si një qeveri duhet të ju përshtatet rrethanave ku gjendet vendi”, shtoi ai.
Sa i përket mos votimit të ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike, Hoxhaj thotë se është absurde të fajësohet opozita.
“Është absurde që një Qeveri e cila pretendon që ka numrat në Kuvend dhe fajin ia lë opozitës. Ne si PDK, kemi qenë të parët që e kemi dhënë një qëndrim të qartë të plotë, të prezantuar nga zotëri Hamza, në kuptimin se çfarë duhet të ndodhë në këtë vend, kuptimin e mbështetjes ekonomike në një kohë krize. Nëse qeveria është e gatshme ta përkrahë qëndrimin e PDK-së, ne jemi të gatshëm të ulemi dhe të bisedojmë”, shtoi ai.
Si përfundim, Hoxhaj tha se opozitën e bëjnë në përputhje me misionin që ka kjo parti, dhe sillen në përputhje me programin e tyre.