Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, sot gjatë një vizite në Viti, është takuar me kryetarin Sokol Haliti, me të cilin ka biseduar lidhur me zgjidhjen e problemit të ujit të pijshëm në këtë komunë.
Kryetari Haliti me këtë rast falënderoi ministrin Kuçi për përkrahje në projektin e rregullimit të shtratit të lumit “Morava e Binçës”, ndërsa foli edhe lidhur me problemet me të cilat po përballen qytetarët sa i përket ujit të pijshëm, duke kërkuar një investim të shpejtë për zgjidhjen e këtij problemi.
“Biseduam për një projekt që e kemi në vijim e që është rregullimi i shtratit të lumit “Morava”, e që normalisht se do ta përkrahim. Biseduam edhe për projektet që kanë të bëjnë me ujë të pijshëm, që kryetari e potencoi por që ka mbetur që së bashku me ‘Hidromoravën’ dhe me partnerë tjerë ta gjejmë një zgjidhje që t’i fillojmë procedurat. Biseduam edhe për trajtimin e ujërave të zeza”, tha Kuçi.
Në këtë takim gjithashtu u shqyrtua edhe mundësia e një projekti për trajtimin e ujërave të zeza, për çka edhe do të shihet mundësia e realizimit në vijim.
Ministri Kuçi dhe kryetari Haliti vizituan punimet në lumin “Morava e Binçës” në dy zona, brenda dhe në periferi të qytetit.