Është nënshkruar memorandum bashkëpunimi ndërmjet Bankës Qendrore të Kosovës si dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për përfshirjen e edukimit financiar në kurrikulën shkollore.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshje është bërë në një konferencë me rastin e shpalosjes së koleksionit të Librave të Edukimit Financiar për nxënësit e klasave 1-5 të arsimit fillor.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj ka thënë se përmes kësaj marrëveshje arrihet transmetimi i njohurive për edukatën financiare tek fëmijët.
Likaj: Kjo do të kontribuojë në zhvillim ekonomik dhe financiar të vendit
“Edukimi Financiar i mëson nxënësit për konceptin e parasë, rëndësinë dhe rolin e saj, mënyrën e menaxhimit, shpenzimet por edhe te kursimeve. Nëpërmjet edukimit të nxënësve arrihet transmetimi i njohurive për edukatën financiare si një prej elementeve kyçe për stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik dhe financiar të një vendi, në rastin tonë, Kosovën”, ka thënë Likaj.
Ministri Likaj ka thënë se këto libra do të shpërndahen në 900 shkolla të Kosovës, dhe janë të përgatitur nga ekspertë të ndryshëm.
Likaj: Në 900 shkolla do të shpërndahen libra për Edukimin Financiar
“Nxënësve, siç e dini këtë vit do t’u shpërndahen libra prej klasës së parë deri në të 5-tën në rreth 900 shkolla të Kosovës. Është një set prej 5 librave, ku përveç gjuhës shqipe, këta nxënës do të pajisen edhe me këto sete të librave për edukimin financiar edhe në gjuhën e komuniteteve. Tekstet mësimore janë të përgatitura sipas udhëzimeve në kornizën e korri kules së Kosovës, të përgatitura nga ekspert korrikular, ekspert të edukimit financiar, ilustrator, pedagog, psikolog dhe janë në përputhje të plotë me moshën e fëmijëve”, ka thënë Likaj
Ndërsa Guvernatori i Bankës Qendrore, Fehmi Mehmeti ka thënë se Edukimin Financiar ndihmon qytetarët në marrjen e vendimeve të drejta me mjetet e tyre financiare të cilat i kanë në menaxhim.
Ai ka thënë se objektivë e programit është synimi i të gjitha niveleve arsimore.
Mehmeti: Fokus primar janë nxënësit e të gjitha niveleve
“Objektiv i programit të Edukimit Financiar të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës është që me aktivitet dhe materialet edukative të targetojmë të gjitha grup moshat e qytetarëve të Kosovës, megjithatë fokus primar pra nxënësit e të gjitha niveleve të arsimit në Kosovë… rrjedhimisht institucionalizimi i Edukimit Financiar në shkolla është hap tejet i rëndësishëm, dhe Banka Qendrore tash e sa vite ka bërë përpjekje këtë ta realizoj”, ka thënë Mehmeti.
Mehmeti ka thënë se ky projekt është përkrahur financiarisht nga Fondi për Evropën Juglindore, dhe janë përgatitur një koleksion prej 5 librave.
E kryetari i Bordit të Drejtorëve të EFSE, Christoph Tiskens në fjalën e tij theksoi se me këtë bashkëpunim synohet të bëhet ndryshim pozitiv për sipërmarrësit e brezave të rinj.
Tiskens: Ky bashkëpunim po bëhet për te sjell një ndryshim pozitiv tek sipërmarrësit e rinjtë
“Është një nder që Ministria e Arsimit e njeh këtë punë me nënshkrimin e sotëm. Kjo tregon vlerën që Ministria i kushton edukimit financiar si mjet themelor për sukses në të ardhmen. EFSE qëndron së bashku me partnerë si Banka Qendrore e Kosovës dhe Ministria e Arsimit për të bërë një ndryshim pozitiv për sipërmarrësit e sotëm, dhe për brezin e ardhshëm të qytetareve”, ka thënë Tiskens.
Pas përfundimit, ministri Likaj, guvernatori Mehmet si dhe Përfaqësuesja e EFSE, Venera Hoxha kanë nënshkruar edhe ekzemplarët e parë të këtyre librave.