Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme i Shqipërisë Gent Cakaj ka kërkuar nga Presidenca gjermane e BE-së t’i japë shtytje liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës si vendi i fundit në rajon që nuk e gëzon këtë drejtë.
Ai sot gjatë një takimit në Berlin me kryetarin e Komisionit për Çështje Evropiane të Bundestagut, Gunther Krichbaum, ka thënë se procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohje reciproke.
Postimi i plotë:
Sot në Berlin, pata një takim të shkëlqyer me Kryetarin e Komisionit për Çështjet Evropiane të Bundestagut, z. Gunther Krichbaum.
E informova hollësisht mbi përparimin e Shqipërisë në përmbushjen e detyrimeve të nevojshme para mbajtjes së Konferencës së Parë ndër-Qeveritare, duke përfshirë reformën zgjedhore, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, deri te ngritja e SPAK-ut dhe BKH-së. Ndamë të njëjtën pikëpamje lidhur me rëndësinë e zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor.
Po, patjetër: theksova se Presidenca Gjermane e Këshillit duhet t’i japë shtysë të fortë procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën dhe se dialogu mes Kosovës e Serbisë nuk duhet të përfundojë me asgjë më pak se njohja e ndërsjellë.