Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Sami Lushtaku, ka reaguar ndaj deklaratave të Albin Kurtit, i cili tha se, PDK-ja e themeloi Gjykatën Speciale.
Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Lushtaku ka shkruar se, politikanët duhet të rrijnë larg vlerave të UÇK-së.
Ai ka kritikuar Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje se ata nuk besonin as në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, kurse tani i dalin në mbrojtje UÇK-së.
Sipas tij, për shkak të akuzave të Kurtit dhe partisë së tij, janë themeluar gjykata që po tentojnë ta njollosin luftën dhe UÇK-në.
Reagimi i plotë i Lushtakut:
Për ta mbrojtur një vlerë, atë vlerë duhet ta kesh tënden ose së paku të dëshmohesh se sadopak e ndjen atë, e kjo i mungon Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Të gjithë ata që prej nga paslufta e deri sot, me akuzat e tyre ia vendosën themelet çdo gjykate që synonte të njolloste UÇK-në, tani përnjëherë po na prezantohen si gardianët e luftës dhe luftëtarëve. „Mbrojtja“ e tyre nuk është asgjë tjetër përveçse një kor kopallash e demagogjishë neveritëse.
UÇK-ja as nuk ishte dhe as nuk është ekskluzivitet i askujt në veçanti. UÇK-ja është vlerë sublime, simbol i përhershëm, histori e pashlyeshme dhe amanet i të rënëve për liri.
Sot, ata që na sulmuan dhe tentuan ta relativizonin e minonin UÇK-në si themel të shtetit të Kosovës, befas po na dalin si mbrojtës, e të tillët janë të njëjtit që sulmuan edhe shtetin e Kosovës, janë të njejtit që nuk besuan as në liri e as në pavarësi.
Mençuria pas kuvendit e trimëria pas beteje nuk kanë asnjë vlerë, përveç për demagogët dhe frikacakët. Ne të gjithë duhet ta ruajmë UÇK-në nga pretendimet monstruoze të gjykatave dhe njëkohësisht nga këta “gardianët” që zhurmën e tyre nuk e kanë të sinqertë.
UÇK-ja është e popullit dhe jo e partive politike të cilat mbrojtjen e vlerave të UÇK-së e kanë për konsum e përfitime politike. Të tillët duhet të turpërohen nga UÇK-ja, nga të rënët dhe familjet e dëshmorëve.