Pas triumfit 3-0 në ndeshjen hapëse të kampionatit ndaj Sampdorias, Juventusi i Andrea Pirlos do të ketë sonte në mbrëmje testin e parë serioz, pasi do të përballet me Romën në transfertën e vështirë në “Olimpico”.
Bardhezinjtë do të udhëtojnë drejt kryeqytetit me një organikë më të kompletuar, pasi përveç dyshes Ronaldo-Kulusevski, tekniku Pirlo ka marrë me vete edhe Paulo Dybalën e Alvaro Moratën, i pari i rikthyer nga dëmtimi dhe i dyti i ardhur vetëm pak ditë më parë nga Atletico Madrid.
Nga ana tjetër Roma është një një moment “të turbullt”, pasi një gafë e rëndë me listën e futbollistëve bëri që të humbin ndeshjen e parë në tavolinë me shifrat 3-0, ndërsa Edin Dzeko nuk duket fort i lumtur, pasi priste të ndërronte ambient dhe gjithçka dështoi.
Gjithsesi edhe trajneri Fonseca do të ketë mundësi të hedhë një skuadër më të kompletuar në fushë, pasi në qendër të mbrojtjes do të debutojë Marash Kumbulla, i ardhur vetëm 10 ditë më parë në kryeqytet, por me pritshmëri të mëdha.
Djaloshi i Kombëtares Shqiptare ka bërë një sezon të shkëlqyer vitin e kaluar te Verona dhe sonte do të zbresë në fushë me fanellën verdhekuqe e me detyrën e vështirë për të udhëhequr një repart ku mungojnë futbollistët me eksperiencë.
Gjithashtu edhe në sulm trajneri i Romës do të ketë mundësi të mbështetet sërish te Dzeko, me boshnjakun që është një pikë orientimi për lojën e skuadrës dhe që sonte në mbrëmje do të ketë mbështetjen e Pedros dhe Mkhitaryan.
Megjithatë emocionet e kampionatit italian do të startojnë që në orën 12:30, kur Spezia e sapongjitur në Serinë A të përballet me Sassuolon, ndërsa me interes pritet edhe debutimi i mbrojtësit shqiptar Ardian Ismajli, që iu bashkua italianëve në fillim të muajit shtator.
Në orën 15:00 do të zhvillohet përballja mes Veronës e Udineses, ndërsa në orën 18:00 Napoli do të presë Genoan e Milani do të udhëtojë drejt Crotones në dy takime mjaft interesante, ku të kaltrit e kuqezinjtë do të kërkojnë suksesin e radhës. /SS