Atalanta e nisi sezonin në mënyrë perfekte, pasi ia doli të triumfojë me shifrat 2-4 në një transfertë të vështirë si ajo ndaj Torinos, ndërsa edhe dje bergamaskët konfirmuan se janë “vrastarë” në repartin e avancuar.
Përveç 4 golave, zikaltrit krijuan edhe një mori rastesh të tjera dhe bënë që Torino të dukej shumë e dobët, ndërsa pas ndeshjes edhe trajneri Gian Piero Gapserini nuk e fshehu kënaqësinë për performancën e të tijve.
“Bëmë një ndeshje mjaft të mirë dhe mund të kishim fituar me rezultat edhe më të thellë, por sërish kam keqardhje për mënyrën si pësojmë, pasi sot mund të kishim komplikuar ndeshjen me golin e dytë që morëm”, u shpreh trajneri i Atalantës.
Më pas Gasperini pranon se këtë vit ka një skuadër më të kompletuar dhe me më shumë eksperiencë në nivele të larta, ndërsa thekson se nëse vijohet me këtë ritëm, do të synohet titulli kampion.
“Këtë vit jemi rritur shumë në aspektin e eksperiencës, pasi sezonin e kaluar luajtëm shpesh në nivele të larta dhe ecuria në Champions na ndihmoi më shumë. Kanë ardhur edhe disa futbollistë të rinj, që në aspektin teknik duken të një niveli goxha të mirë, ndaj nëse rikuperojmë edhe Iliçiç, do të jemi vërtetë shumë të fortë. E ndjej që jemi më të fortë dhe më të kompletuar se një vit më parë, ndaj nëse ecim mirë, nuk i fshihemi titullit kampion, ndonëse ky nuk mund të jetë objektiv tani në fillim sezoni”, u shpreh Gasperini.