Marrëveshja e 4 shtatorit, Arjan Zeka: Ndikim pozitiv në stabilitetin e marrëdhënive Kosovë-Serbi

Drejtori Ekzekutiv i Dhomës Amerikane Ekonomike, Arjan Zeka komentoi rëndësinë e marrëveshjes së nënshkruar më 4 shtator mes Kosovës dhe Serbisë në SHBA.

Ai tha se në fillim të këtij viti, Dhoma Amerikane në Kosovë ka pasur një takim me ambasadorin Grenell ku janë diskutuar problemet e natyrës ekonomike dhe bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, kjo marrëveshje do të ketë ndikimin e duhur në stabilizimin e marrëdhënieve politike mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij bashkëpunimi ekonomik mund të sjellë tejkalimin e të gjitha barrierave mes dy vendeve.

Vendosja e trafikut hekurudhor mes Kosovës dhe Serbisë është një ndër pikat kryesore të marrëveshjes së Uashingtonit që Arjan Zeka e specifikoi si më të rëndësishmen e që do ndikojë më shumë në vendosjen e stabilitetit mes dy shteteve.

Një tjetër pikë që drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë e përmendi si të rëndësishme ishte dhe funksionalizimi i vendkalimit të përbashkët kufitar në Merdare duke shtuar gjithashtu pikën që mundëson lirimin e fondeve dhe hapjen e mundësive të reja të financimit nga dy institucione amerikane financiare.

Pyetur rreth diferencave të mëdha që ka pasur në qëndrimet e palëve sa i përket marrëveshjes së 4 shtatorit, Arjan Zeka foli specifikisht për qëndrimin e Odës Ekonomike dhe tha se qëndrimi i tyre ishte në përputhje me atë të Administratës  Amerikane dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara.

Ai nuk la pa justifikuar dhe faktin se diskursi që po zhvillohet në Kosovë mes partive politike është tejet normal dhe mbi të gjitha është i nxitur nga palët opozitare.

“Ne vazhdimisht si Odë Ekonomike Amerikane u bëjmë thirrje partive politike edhe atyre që janë pjesë e Kuvendit, të gjitha forcave politike në vend që t’i tejkalojnë këto mosmarrëveshje dhe të rrinë larg ashpërsimit të diskursit politik i cili pastaj vonon dhe vendimmarrjen sa i përket reformave që duhen ndjekur në aspektin e përmirësimit të mjedisit të të bërit biznes ose ekonomisë në përgjithësi”,- tha Arjan Zeka në një intervistë për euronews.al.

Pyetur nëse Oda Ekonomike Amerikane bashkëpunon me ndonjë institucion simotër në Beograd z. Zeka e pohoi këtë gjë por pranoi njëkohësisht që nuk mund të kenë ndikim në mbarëvajtjen e marrëveshjes së Uashingtonit sa i përket ‘presionit’ që mund t’i ushtrojnë autoriteteve ose qeverive të vendeve përkatëse.

Ndërkaq përfshirjen e Kosovës në minishengenin ballkanik z. Zeka e konsideroi një benefit tjetër për Kosovën mbi të gjitha për lirinë e transportit të mallrave, gjë që ndikon drejtpërdrejtë në zhvillimin e biznesit dhe ekonomisë.

Sa i përket aftësisë përthithëse të kapitaleve nga Serbia duke qenë një ekonomi më e fuqishme se ajo e Kosovës dhe dëmtimit të interesit të kësaj të fundit ai u shpreh jo në të njëjtin mendim. Sipas tij kjo është përgatitje për synimin kryesor të Kosovës dhe gjithë vendeve të Ballkanit, anëtarësimit në BE.

“Nëse përgatitemi për të bërë biznes në një treg më të vogël atëherë do ta kemi jashtëzakonisht të vështirë që të bëhemi pjesë e tregut të Bashkimit Europian”,- u shpreh Zeka.

Ai vendosi të mos japë një koment për opinionin që kanë shprehur aktorët politik se minishengeni ballkanik është krijimi i Jugosllavisë së re por sidoqoftë ai nënvizoi se nëse do të ishte i drejtë ky opinion atëher edhe BE do të konsiderohej njëfarë Jugosllavie.

Në fjalën e tij ai shprehu se u takon partive që gëzojnë pushtetin që të zgjerojnë kompromisin nacional në mënyrë që marrëveshja së pari të njihet e të vihet në zbatim sa më lehtë të jetë e mundur.

Së fundmi Arjan Zeka theksoi se fakti që Shtetet e Bashkuara kanë qenë ndërmjetës në marrëveshje e bën atë vetë më pozitiv sa i përket implementimit të shpejtë të kësaj marrëveshje. Ai shtoi gjithashtu se përveç aspektit financiar  nënshkrimi i marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë e shton presionin ndaj të dyja shteteve për respektimin me rigorozitet të pikave të marrëveshjes.