Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka folur sot në një konferencë për media në lidhje me çështjen e Asociacionit.
Ai është pyetur nga gazetarët për raportimet e mediave se takimi i 28 shtatorit me Serbinë mund të dështojë, pikërisht për shkak se Kosova po refuzon të diskutojë për Asociacionin, shkruan lajmi.net.
Hoti ka thënë se nuk e di nëse do ta mbahet takimi, dhe se kjo pritet të shihet në ditët e ardhshme, por që sipas tij është në interes të Kosovës që ky proces të ecë përpara.
“Sic e kam bërë të qartë kjo temë nuk diskutohet sepse është përmbyllur më 2015. Pra kjo nuk është temë që diskutohet në dialog . Nuk e di a do të mbahet takimi, do ta shohim në ditët e ardhshme, mirëpo ne jemi të interesuar që dialogun ta çojmë përpara, sepse është në interes të Kosovës”, ka thënë Hoti para mediave.
Ndryshe, as Bashkimi Evropian në një përgjigje dhënë dje për lajmi.net, nuk ka treguar nëse Asoaciacioni do të vihet në tavolinën e diskutimit në takimin e radhës Kosovë-Serbi.