Ministrja Meliza Haradinaj-Stublla, ka kërkuar njohjen nga shtetet jo njohëse të Kosovë të Organizatës për Bashkëpunim Islamik (OBI).
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, të hënën zhvilloi një bisedë telefonike me sekretarin e përgjithshëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, Yousef bin Ahmad Al-Othaimeen.
“E falënderova Al Othaimeen për angazhimin e vazhdueshëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik në përkrahje të Republikës së Kosovës, ku përgjatë viteve kjo organizatë ka adresuar përmes rezolutave çështjen e njohjes së Republikës së Kosovës nga vendet anëtare”, tha ministrja Haradinaj-Stublla.
Kryediplomatja Haradinaj Stublla kërkoi nga sekretari i përgjithshëm Al-Othaimeen ndihmë për ta avancuar bashkëpunimin edhe me shtetet tjera anëtare të OBI-së, me fokus të veçantë me shtetet jo-njohëse të Kosovës që janë pjesë e kësaj organizate.
“Njëherësh kërkova thellim të bashkëpunimit me këtë organizatë islamike, si organizatë e rëndësishme politike në përgjithësi, në fusha të interesit të përbashkët politik dhe ekonomik”, tha Haradinaj-Stublla.