Një delegacion i qeverisë amerikane i udhëhequr nga Kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave të Zhvillimit të SHBA-së (DFC) Adam Boehler, përfshirë Grenell, do të udhëtojë në Athinë, Prishtinë, Beograd dhe Jeruzalem.
Emisari Special i Presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, edhe vet ka njoftuar për ardhjen në Prishtinë.
Përmes Twitter, ai ka thënë se zbatimi i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë është në top prioritetet kryesore të Administratës Trump.
“Shihemi në Prishtinë dhe Beograd këtë javë”, ka shkruar ai.
Kujtojmë se më 4 shtator është nënshkruar marrëveshja ekonomike Kosovë-Serbi, nga kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, dhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nën vëzhgimin e presidentit të Amerikës, Donald Trump.
Ditë më parë edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, kishte paralajmëruar se do të vijë një delegacion i SHBA-së në Kosovë për të negociuar për marrëveshjen e nënshkruar në fillim të shtatorit.
Grenell të mërkurën do të udhëtojë drejt Serbisë./Telegrafi/